Bytyçi: PDK-ja s’do të jetë pjesë e asnjë kalkulimi politik

E publikuar: 11/04/2020 15:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, në një intervistë për gazetën online Infosot, ka bërë të ditur pozicionimin e PDK’së që do ta ketë në skenën politike, tash kur Presidenti i vendit Hashim Thaçi, i ka dërguar letrën e dytë liderit të partisë fituese, Albin Kurtit të Vetëvendosjes, që t’ia dërgoj emërin për mandatarin e ri për kryeministër.

Bytyçi për Infosot, ka thënë se, partia më e madhe opozitare nuk do të jetë pjesë e asnjë skenari nga cilado parti që pretendon ta formoj qeverinë e re, pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, nga partneri i LVV’së, pra LDK.

Poashtu, Bytyçi ka shtuar se, si PDK opsionin e zgjedhjeve në këtë kohë që po kalon Kosova, me pandeminë e shkaktuar nga koronavirus, është joadekuat.

Ndërsa i pyetur për bashkëpunimin e mundshëm me LVV’në, nëse kjo e fundit mbetet në opozitët, Bytyçi është përgjigjur se për temat nacionale janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të gjitha partitë.

Por, i pyetur për mundësinë e bashkë qeverisjes me Vetëvendosjen, në qoftëse zgjedhjet mbahen pasi të kalon situata pandemike Covid-19, Bytyçi ka dhënë një përgjigje interesante.

Intervista e plotë me zëdhënësin e PDK’së, Avni Bytyçi:

InfoSot: Si PDK, keni thënë se, nuk do jeni pjesë e qeverisë së re nëse formohet pas shkarkimit të Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti. Por, a do ta votonit nëse Presidenti e mandaton ndonjë kandidat nga partitë e tjera, dhe a do i dërgonit përfaqësuesit e juaj nëse ju kërkohet nga partnerët e atij koalicioni?

Bytyçi: Kemi deklaruar se nuk do të jemi pjesë e ndonjë qeverie, edhe pas mocionit, për shumë arsye, ashtu do të mbetet. Ne nuk ishim dhe nuk jemi pjesë e shkakut të ndodhive të reja në skenën politike, të cilat rezultuan si joadekuate në kohën e pandemisë, ku koalicioni në mes të VV-së dhe LDK-së u ndërpre si rezultat i konfliktit të tyre. Ne jemi të përcaktuar t’i kontribuojmë vendit për të mirë në çdo situatë. PDK nuk do të jetë pjesë e asnjë kalkulimi politik.

InfoSot: Poashtu edhe LVV, ka paralajmëruar se do mbetet në opozitë dhe nuk do e përkrah formimin e një Qeverie të re pa ta. A do bashkepunonit me Vetëvendosjen në opozitë?

Bytyçi: Si opozitë, elektorati ynë dhe qytetarët e dinë çfarë parimesh na kanë udhëhequr që nga krijimi i partisë, ai është interesi nacional, para çdo interesi tjetër, në këtë pikë, bashkëpunimi nuk e përjashton as opozitën as pozitën.

InfoSot: Sipas Kushtëtutës dhe njohësit e saj, LVV, përsëri e ka të drejtën për të propozuar mandatarin e ri, nëse ndryshon qëndrim Vetëvendosje ndaj PDK’së, dhe ju fton për ta formuar qeverinë e re, ado ishit përgjigjur pozitivisht ju, apo?

Bytyçi: Pyetja që duhet shtruar këtu është se a është PDK e interesuar që të jetë pjesë e ndonjë koalicioni potencial me LVV-në?! PDK pas 6 tetorit është opozitë dhe do të vazhdoj të jetë e tillë.

InfoSot: Pas kalimit të situatës që po kalon vendit me pandeminë Covid-19, a jeni për zgjedhje të jashtëzakonshme?

Bytyçi: Lideri i opozitës, z. Veseli e ka bërë shumë të qartë për PDK-në se zgjedhjet do të ishin zgjidhja më e mirë në rrethanat normale. Në kohë pandemie dhe përballë një krize ekonomike që mund ta kolapsoj ekonominë e Kosovës, besoj që opsioni i zgjedhjeve është jo real. Në këto rrethana aktuale, urojmë të mos kemi viktima dhe të infektuar më shumë nga covid-19, të kemi sa më pak dëme në ekonomi dhe se fokusi i te gjithë spektrit politik të jetë në luftën kundër covid-19

InfoSot: Nëse mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme edhe pavarësisht rezultatit, kënd e shihni si partner të mundshëm, nga partitë politike. Do kishit preferuar ish partnerët e PAN’it, LDK’në, apo LVV’në?

Bytyçi: Nuk mund të flasim tash për preferenca të tilla, aq më pak në kohë pandemie, kur duhet të ishim më të bashkuar se kurrë. Aktualisht PDK është e fokusuar vetëm tek qytetari, shteti dhe ekonomia e vendit dhe reformat e brendshme partiake.