Austria është thyese e tabuve në politikat evropiane, shkruan gazeta britanike Financial Times, duke komentuar zgjedhjet presidenciale në këtë vend.
Kandidati i pavarur, Alexander Van der Bellen, ka fituar zgjedhjet presidenciale atje me një diferencë fare të vogël votash nga rivali i ekstremit të djathtë, Norbert Hofer.
Udhëheqësit evropianë kanë thënë se frymojnë lirshëm nga humbja e Hoferit, i cili ka bërë fushatë kundër migrimit dhe kundër multikulturalizmit.
Por, sipas gazetës Financial Times, fitorja e Van der Bellen nuk është arsye për vetëkënaqësi dhe nga mbështetja e madhe për Hoferin do të përfitojnë edhe partitë e tjera në Evropë, si Fronti Kombëtar në Francë, të cilat ndjekin strategjinë e “dekontaminimit”.
“Në një klimë të krizës rreth migracionit, shoqëria e hapur kërcënohet jo vetëm nga partitë ekstremiste që arrijnë pushtetin, por edhe nga partitë e qendrës që përforcojnë të njëjtën logjikë ksenofobe. Ngjarjet e fundit në Austri tregojnë se politikat e frikës mund të dalin shpejt prej kontrollit”, shkruan gazeta Financial Times.
E njëjta kujton se kanë qenë partitë e qendrës ato që kanë bërë marrëveshje dypalëshe me fqinjët në Ballkan për të mos lejuar migrantët të hyjnë brenda.
Koalicioni qeverisës ka kufizuar në mënyrë drastike të drejtën e azilit, në kundërshtim me Konventën e Gjenevës, rikujton gazeta.
“Pas krizës me migrantë dhe sulmeve terroriste në Paris dhe Bruksel, politikat evropiane kanë lëvizur në të djathtë. Duke e bërë migracionin çështje të sigurisë, partitë e qendrës kanë përforcuar idenë se popullatat rrezikohen nga të huajt”, thuhet në artikullin e gazetës britanike.
Evropa ka shmangur mezi zgjedhjen e një ekstremisti të djathtë si kryetar shteti, shkruan në anën tjetër gazeta Independent. Dhe, siç ka thënë dikur shkrimtari Bertolt Brecht për Hitlerin, bushtra që e ka lindur atë është nxehur përsëri, citon gazeta, transmeton rel.
Por, çfarë mund të bëhet? Independent shkruan se, në një periudhë afatmesme, zgjidhja e vetma është që brezat e rinj të pajisen me aftësi, produktivitet dhe paga për të udhëhequr jetë të dinjitetshme. Kjo kërkon udhëheqje vizionare, të guximshme dhe të ndershme, që për momentin nuk ka, shkruan Independent.