Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë pune në Gjermani.
Gjatë kësaj vizite ai u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme, Frank-Walter Steinmeier, Këshilltarin e Kancelares Merkel për Çështjet e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, Christoff Heusgen, si dhe zhvilloi një seancë dëgjimore në Komisionin e Çështjeve Evropiane të Bundestagut.
Perspektiva e integrimit të Shqipërisë në BE ishte në qendër të takimit të Ministrit Bushati me homologun e tij Steinmeier. Duke vlerësuar mbështetjen konstante të Gjermanisë për proceset integruese të Shqipërisë, Ministri Bushati parashtroi përpjekjet e Shqipërisë në procesin e reformave dhe përmbushjen e pesë prioriteteve kyçe. Ministri Bushati nënvizoi se hartimi i një kalendari konkret masash për ta çuar vendin drejt hapjes së negociatave për anëtarësim do të ishte një përqasje graduale me efekte pozitive për reformat dhe motivimin e administratës publike.
Duke u fokusuar tek bashkëpunimi dypalësh, Ministrat ndanë mendimin për nevojën e forcimit të bashkëpunimit në fushën ekonomike, rritjes se investimeve gjermane, si dhe për promovimin e tyre përmes organizimit të një forumi biznesi shqiptaro-gjerman së shpejti në Tiranë.
Ministri Steinmeier vlerësoi masat e marra në vend për adresimin e fenomenit të azil-kërkimit dhe inkurajoi për intensifikimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi mes institucioneve përkatëse, duke ofruar ndihmën e Gjermanisë për përballjen me këtë fenomen.
Një vend të veçantë në diskutimet mes dy Ministrave zuri situata në rajon dhe zhvillimet në Maqedoni. Duke dënuar dhe cilësuar çdo akt dhune të papranueshëm për një shoqëri demokratike që synon integrimin euro-atlantik, Ministri Bushati nënvizoi rëndësinë e respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, në zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, e cila mbetet esenciale për stabilitetin demokratik dhe busull orientuese për rrugëtimin euroatlantik të Maqedonisë. Ministrat ndanë mendimin për rëndësinë e integritetit territorial dhe stabilitetit në Maqedoni dhe zgjidhjen sa më parë të krizës politike në vend, evitimin e konvertimit të saj në një krizë ndëretnike dhe me pasoja për stabilitetin rajonal. Te dy Ministrat bënë thirrje për një investigim të plotë, transparent dhe profesional të ngjarjeve në Kumanovë si e vetmja mundësi për të rikthyer besimin tek institucionet. “Episodi i para dhjetë ditëve alarmoi Evropën, por po ashtu na bëri më të vëmendshëm. Shpresoj që ajo që pamë nuk është fillimi i një acarimi, por që autoritetet do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të na sqaruar se çfarë ndodhi. Së dyti, shpresoj që do të marrin gjithë masat që episode të tilla të mos përsëriten më”, tha zoti Shtajnmajer.
“Gjykuar nga pikëpamja apo konteksti i kompozimit etnik dhe social që ka Maqedonia, i cili është disi unik për rajonin e Ballkanit Perëndimor, mendojmë që është në radhë të pare në interesin e Maqedonisë për të bërë një transparence më të plotë sic e tha edhe ministri Shtajnmajer në lidhje me zhvillimet në Kumanovë në mënyrë që kriza aktuale të ndalohet dhe të mos përshkallëzohet dhe rruga apo busulla orientuese e Maqedonisë si gjithë vendet e tjera të rajonit të vazhdojë të mbetet integrimi euroatlantik dhe integrimi euroatlantik që besojmë të gjithë bazohet në respektin për sundimin e të drejtës, në respektin për një marrëdhënie ndëretnike, harmonike sic parashikonte Marrëveshja e Ohrit dhe për një cohesion më të mire politik dhe social”, tha Bushati.
Mbi bashkëpunimin rajonal, Ministri Steinmeier vlerësoi rolin e Shqipërisë si kryetare e radhës të nismës të SEECP-së deri në qershor 2015, në funksion të nxitjes së klimës së bashkëpunimit në rajon.
Duke u ndalur tek rëndësia e Procesit të Berlinit dhe përgatitjet për Konferencën e Vjenës, Ministri Bushati theksoi se Shqipëria mbështet projektet rajonale të përbashkëta, zbatimi i të cilave do ta sjellë rajonin më pranë BE-së, si dhe po punon për konkretizimin e krijimit të një zyre rinore në rajonin tonë, që do të ndihmonte në nxitjen e shkëmbimeve rinore mes vendeve të rajonit sipas modelit franko-gjerman.
Gjatë takimit u diskutuan edhe çështje të tjera si bashkëpunimi shumëpalësh dhe sfidat e sigurisë globale.
Në takimin me Këshilltarin e Kancelares Merkel për Çështjet e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, Christoff Heusgen u diskutua mbi ecurinë e Shqipërisë në rrugëtimin evropian si dhe zhvillimet më të fundit në rajon.
Në seancën dëgjimore në Komisionin e Çështjeve Evropiane të Bundestagut, Ministri Bushati i njohu të pranishmit me ecurinë e reformave në Shqipëri, arritjet dhe sfidat në luftën kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar. Ministri Bushati iu përgjigj interesimit të deputeteve mbi zhvillimet më të fundit në rajon.
Në kuadër të vizitës së Ministrit Bushati në Berlin, MPJ gjermane çeli një ekspoze arkivore me disa dokumente historike për marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, e cila u vizitua nga dy ministrat.