Sekretari amerikan i Shtetin John Kerry priti sot Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati në takimin e parë dypalësh mes krerëve të diplomacisë së dy vendeve që në vitin 2010. Në takim u trajtuan temat e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe atij global, sidomos për sa i takon përpjekjeve kundër terrorizmit dhe sigurisë në rajon kundër ISIS’it. SHBA dhe Shqipëria nënshkruan edhe Deklaratën për Partneritetin Strategjik mes dy vendeve.
Ndër të tjera, Bushati ka thënë se me Kerryn kanë biseduar edhe për rajonin, në veçanti për Kosovën, për të cilën, SHBA-të do të jenë avokat i posaçëm drejt anëtarësimit në NATO.
Zëri i Amerikës:Le të ndalemi tek temat që u prekën gjatë takimit me Sekretarin Kerry. Për çfarë u bisedua pas dyerve të mbyllura mes jush dhe zotit Kerry.
Ditmir Bushati: Patëm një bisedim të ngrohtë dhe mirëkuptim për një sërë tematikash që rrokin bashkëpunimin ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, si për sa i përket çështjeve të sigurisë, bashkëpunimit në NATO dhe në organizma të tjera ndërkombëtare, perspektivës së anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, luftës së përbashkët që po zhvillojmë kundër fenomenit të terrorizmit dhe dhunës ekstreme, sikundër angazhimit konkret që Shqipëria ka patur krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në zona të nxehta të tilla si Afganistani, Iraku. Por gjithashtu, Sekretari Kerry ishte i interesuar të dinte më në detaje edhe pikëpamjet e Shqipërisë për zhvillimet e fundit në rajon, aq më tepër që Evropa Juglindore, apo Ballkani Perëndimor, po merr një peshë gjeopolitike më të madhe në kushtet kur siguria e Evropës, apo arkitektura e sigurisë evropiane, ndjehet e sfiduar nga zhvillimet në lindje dhe nga zhvillimet në jug të Evropës, dhe ku siç dihet, Shqipëria luan një rol kyç për shkak të përkatësisë së saj në NATO, dhe për shkak të trajektores dhe kursit krejtësisht të qartë në politikën e jashtme, krah për krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe gjithnjë të linjëzuar me atë të Bashkimit Evropian.
Zëri i Amerikës: Dhe ku konsiston pikërisht ky rol që ju përmendni Shqipërinë, sipas edhe bisedave që patët sot?
Ditmir Bushati: Shqipëria do të mirëpresë një samit që do të zhvillohet në maj, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vijim të samitit që organizoi Presidenti Obama në Uashington, për sa i përket fenomenit të ekstremizmit që është mjaft evident sot për sot, dhe që është një fenomen global. Risia e samitit të Tiranës ka të bëjë me pjesëmarrjen dhe gamën e gjerë të çështjeve që do të trajtohen, por edhe me pjesëmarrës të cilët nuk do jenë thjesht politikanë apo zyrtarë të lartë, por edhe përfaqësues të shoqërisë civile apo përfaqësues të komuniteteve fetare nga të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë. Së dyti, roli i Shqipërisë është një rol dinamik dhe konstruktiv në rajon, si një vend anëtar i NATO-s, dhe si një vend i cili falë anëtarësisë së NATO-s dhe mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka arritur që të modernizohet dhe të demokratizohet. Për pasojë, është një vend avokat edhe për vendet e tjera të rajonit për t’u anëtarësuar në NATO dhe për një marrëdhënie të institucionalizuar të NATO-s me të gjitha vendet e rajonit. E kam fjalën këtu posaçërisht për Kosovën dhe për rrugën që duhet të ndjeki procesi i afrimit të Kosovës me NATO-n deri në Samitin e ardhshëm të Varshavës, samitin e NATO-s që do të zhvillohet vitin tjetër në Varshavë. Së treti, Shqipëria dhe rajoni ynë po kthehet në një rrip të rëndësishëm, do të thoja, energjitik, për sigurinë e energjisë në Evropën Juglindore, por edhe për të siguruar atë diversifikimin e nevojshëm që ka nevojë tregu i Bashkimit Evropian falë ndërtimit të gazsjellësit transadriatik dhe falë ndërtimit gjithashtu të gazsjellësit adriatiko-jonian, ku të dy këta gazsjellës kryqëzohen në Shqipëri, dhe Shqipëria ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. Këto ishin disa prej pikave të diskutimit me Sekretarin e Shtetit Kerry, dhe besoj dhe firmosja e Partneritetit Strategjik ndërmjet dy vendeve tona e thellon më tej këtë bashkëpunim i cili, nuk do ta ekzagjeroja nëse do ta thoja, është deri diku edhe një bashkëpunim shpirtëror ndërmjet dy kombeve tona dhe jo thjesht ndërmjet dy përfaqësuesve të dy qeverive.
Zëri i Amerikës: Çfarë i shton pikërisht kjo deklaratë bashkëpunimit që në fakt deri tani pavarësisht nga politika e Shqipërisë ka qenë i ngushtë dhe shumë i mirë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara? Pra, çfarë ndryshimi, ose përmirësimi sjell në këtë marrëdhënie dypalëshe?
Ditmir Bushati: Ne jemi një vend që në mënyrë konstante kemi ndjerë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në rast se rajoni jonë sot për sot është në paqe, dhe është me sytë drejt Bashkimit Evropian, kjo është falë angazhimit konkret dhe konstant të politikës së jashtme amerikane në rajon. Dhe ne, në mënyrë konstante, kemi kërkuar një angazhim edhe më të thelluar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos për çështjet që kanë lidhje me sigurinë energjitike, edhe për ato reforma të nevojshme që do të duhet të ndërmarrin të gjitha vendet e rajonit, duke përfshirë edhe Shqipërinë, në proçesin e anëtarësimit të Bashkimit Evropian. Jam i gëzuar që ne sot kemi finalizuar këtë dokument, i cili ka edhe instrumentet përkatës, pra nuk është thjesht një dokument ombrellë që përcakton apo ravijëzon fushat e bashkëpunimit strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por ofron edhe instrumentet e dialogut, konsultimit, në të gjitha nivelet e mundshme dhe shkëmbimit të vizitave të larta, duke e thelluar fushën e bashkëpunimit në çështjet e një interesi strategjik, në kushtet kur Ballkani Perëndimor dhe duhet t’i përgjigjet sfidave të reja me të cilat sot për sot përballet edhe vetë Evropa. Dhe mendoj që ky është një hap pozitiv. Për fat të keq, Shqipëria nuk kishte një dokument të tillë. Mendoj që jemi në rrugë edhe të disa vendeve të tjera në rajonin tonë, që e kanë firmosur një partneritet të tillë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe besoj se do të krijohen horizonte të reja për një prani më të madhe, jo thjesht politike, por edhe ekonomike, sidomos në fushën e investimeve energjitike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rajonin tonë.
Zëri i Amerikës: Zonja Nuland, në komentet e saj para nënshkrimit, përmendi bashkëpunimin shumë të mirë mes dy vendeve, përmendi përparimet e Shqipërisë gjatë këtyre vjetëve, përfshirë edhe rritjen e GDP-së, pra shifrat e larta ekonomike. Por, nga ana tjetër foli edhe për ndihmën në reformën e sistemit të drejtësisë, dhe për bashkëpunim në luftën kundër korrupsionit, gjë që nënkupton që këto mbeten ende probleme reale për Shqipërinë. Cili është komenti juaj?
Ditmir Bushati: Natyrisht, këto janë sfida që duhen adresuar nga Shqipëria dhe ne po punojmë në bashkëveprim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian për t’i adresuar. Jam i lumtur të ritheksoj edhe një herë tjetër mbështetjen që po marrim nga FBI për sa i përket ngritjes së byrosë së hetimeve në Shqipëri, që është një dëshmi e qartë e vullnetit tonë politik si qeveri për të bashkëpunuar me agjensi të specializuara, në rastin në fjalë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe për të përfituar sa më shumë të jetë e mundur nga proçesi i ndërtimit të kapaciteteve administrative. Gjithashtu, reforma në drejtësi është themelore, jo thjesht për rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por është themelore për sa i përket sundimit të së drejtës në ekonomi, për sa i përket nevojës për tërheqjen e investimeve të huaja, dhe për sa i përket atyre garancive të domosdoshme që duhet të ketë jeta institucionale dhe jeta publike në vend. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar jo pak gjatë këtyre dy dekadave në Shqipëri për sa i përket kapaciteteve administrative, apo burimeve njerëzore, proçesit ligjvënës. Dhe sot jam i kënaqur të konstatoj që jemi në të njëjtën gjatësi vale dhe për sa i përket incentivave, apo instrumentave politikë, që duhet të nxisin proçesin e reformave dhe që ky proçes duhet të na garantojë një përmirësim të kredencialeve demokratike në Shqipëri.
Zëri i Amerikës: Megjithatë, më tërhoqi vëmendjen një nga pikat që ju përmendët për byronë e hetimeve, për të cilën ka dalë një pengesë nga Gjykata Kushtetuese. A u prek kjo temë, dhe si do të shpjegonit ju faktin që megjithë ndihmën e ekspertëve nga FBI-ja, ligji ka ende probleme dhe nuk e ka rrugën të hapur plotësisht?
Ditmir Bushati: Ne jemi një demokraci kushtetuese, dhe si në çdo demokraci kushtetuese vendimet e gjykatës kushtetuese respektohen dhe besoj se ne do të gjejmë rrugën e duhur për të jetësuar këtë strukturë, kuptohet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe falë mbështetjes teknike që do të marrim nga FBI-ja dhe autoritetet amerikane në këtë drejtim. E rëndësishme është që vullneti jonë politik është i palëkundur për të bashkëpunuar me agjensi të specializuara të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën kundër korrupsionit, në luftën kundër krimit të organizuar, në promovimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, dhe në promovimin mbi të gjitha të Shqipëris si një spirancë stabiliteti në rajon, si një vend i cili është kontributor në çështjet e sigurisë, krah për krah me SHBA në Irak, Afganistan, apo pika të tjera të globit. Dhe është një vend i cili është rreshtuar në anën e duhur.
Zëri i Amerikës: Le të flasim pak lidhur me deklaratat e fundit të Kryeministrit Edi Rama për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Ju po flisni për rolin e Shqipërisë në stabilitetin e rajonit, megjithatë deklaratat e fundit shkuan përtej asaj që thënë gjithmonë, që Shqipëria dhe Kosova do bashkohen në Bashkimin Evropian, saqë shkaktuan edhe reagimin e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Sa konstruktive janë deklarata të tilla?
Ditmir Bushati: Besoj se kjo çështje ka marrë përgjigjen nga ana e Kryeministrit Rama, por edhe nga çfarë unë kam komunikuar me opinionin publik. Qëndrimi i Shqipërisë është i qartë dhe është në sintoni të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian, dhe kjo është fare lehtësisht e konstatueshme edhe në dokumentet e partneritetit strategjik që ne kemi firmosur me Kosovën, ku i referohemi Aktit Final të Helsinkit, parimeve të Aktit Final të Helsinkit për mosndryshimin e kufijve.
Zëri i Amerikës: Pra, kjo ishte vetëm një rrëshqitje deklaratash si të thuash?
Ditmir Bushati: Nuk mund të bëhet fjalë për një rrëshqitje në deklaratë, por bëhet fjalë për një keqinterpretim, apo nxjerrje jashtë konteksti, e cila kishte lidhje edhe me situatën paksa kritike në të cilën ndodhet Kosova, ku perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian duket se po shtyhet përtej parashikimeve, sikundër procesi i liberalizimit të vizave ende nuk po jetësohet. Më tepër ka qenë një qëndrim i cili buron prej një lloj situate frustruese që do të duhet të adresohet përmes mekanizmave dhe instrumenteve të qartë politikë. Por, është me rëndësi të theksoj që qeveria shqiptare gjithmonë ka qenë e kthjellët që rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe integrimi i shqiptarëve përgjithësisht në Bashkimin Evropian dhe në NATO kalon përmes një bashkëpunimi të ngushtë, të strukturuar, dhe strategjik, në radhë të parë dhe mbi të gjitha me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe këtu edhe në takimin me Sekretarin e Shtetit, siç u bë edhe me dije në opinionin publik, jam falënderuar për qëndrimet që mban Shqipëria, edhe për politikën e saj dinamike dhe konstruktive në rajon.
Zëri i Amerikës:Pak ditë më parë, Presidenti Nishani ktheu pas për rishqyrtim Ligjin për Shërbimin e Jashtëm. Argumentimi i tij ishte sepse ishte hequr kuota e personave që vijnë, e parashikuar për emërimet nga jashtë sistemit, dhe kjo përbën problem. Cilat janë argumentet tuaja dhe si do të vazhdojë më tej?
Ditmir Bushati: Do të kërkoja mirëkuptimin tuaj që mos t’i hamë minutazh opinionit publik për të komentuar ngjarje të politikës së ditës në Shqipëri.
Zëri i Amerikës: Pse jo?
Ditmir Bushati: Si qytetar shqiptar, si Ministër i Punëve të Jashtme, jam i emocionuar sot për shkak të një vizite, një bashkëbisedimi të ngrohtë, që kam pasur këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shkak të mikpritjes, për shkak të mbështetjes dhe për shkak të dokumentit të Partneritetit Strategjik, që siç e thashë në fillim të kësaj interviste shkon përtej vullnetit të dy qeverive, sepse në një mënyrë a një tjetër, simbolizon një raport shpirtëror që është ngjizur ndër vite mes dy kombeve tona. Për sa i përket, vlerësimeve të Presidentit të Republikës, është në të drejtën e tij që të ketë një opinion të caktuar për vullnetin që ka shprehur Parlamenti shqiptar për Ligjin për Shërbimin e Jashtëm dhe besoj se do të jetë parlamenti shqiptar që do të thotë fjalën e fundit në këtë proces. Unë respektoj opinionin e Presidentin të Republikës pavarësisht se nuk bie dakord në asnjë nga pikat për të cilat ai është shprehur.