Bushati pret homologët e Serbisë dhe të Italisë në Tiranë

E publikuar: 20/01/2016 13:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka pritur në një takim homologët e tij, atë serb Ivica Daçiq dhe atë Italian Paolo Gentiloni.
Takimi vjen në kuadër të konferencës së dytë tripalëshe Shqipëri-Serbi-Itali.
Gjatë takimit, Bushati dhe Daçiq diskutuan mbi ecurinë e raporteve dypalëshe në dritën e zhvillimeve me të fundit dhe të shkëmbimit të vizitave të dy Kryeministrave, Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq.
Ministrat evidentuan nevojën për konkludimin e marrëveshjeve të dakordësuara në parim në fushat e zhvillimit ekonomik, lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe arsimit të lartë, transmeton kp.
Palët vlerësuan hapat e kryera nga të dy vendet për konkretizimin e angazhimeve të marra në kuadër të procesit të Berlinit.
Në takimin që Bushati pati me homologun italian Paolo Gentiloni u diskutua për agjendën evropiane të Shqipërisë, masat e vendeve anëtare dhe atyre kandidate për përballimin e krizës së refugjatëve, si dhe koordinimin më të mirë në përgjigjen ndaj sfidave të sigurisë.
Mësohet se n ë takim, tre shefat e diplomacisë do të diskutojnë projekte të përbashkëta konkrete me interes të ndërsjellë në fushat e ekonomisë, infrastrukturës, energjisë, turizmit, arsimit, kulturës, bashkëpunimit rinor etj, duke u fokusuar në identifikimin e metodologjive të reja për realizimin konkret të tyre, por edhe në zgjerimin e mëtejshëm të nismave rajonale.
Duke mbajtur në vëmendje procesin e Berlinit dhe Konferencat e Ballkanit Perëndimor në Paris 2016 dhe Romë 2017, si edhe çështje që kanë të bëjnë me sfidat e përbashkëta që po përballemi sot, takimi do ketë në fokus përforcimin e urave të komunikimit konstruktiv mbi baza mirëkuptimi.
Takimi trilateral do të paraprihet nga takime të veçanta të Ministrit të Jashtëm Bushati me Ministrat Gentiloni dhe Daçiq, ndërsa në orën 15:00 do të zhvillohet konferenca e përbashkët për shtyp.
Qëndrimi i Ministrit të Jashtëm italian në Tiranë vjen edhe në kohën kur Shqipëria është etiketuar nga mediat vendase si vendi nga ku kalojnë armët që përdoren nga Shteti Islamik dhe mendohet se edhe kjo çështje do të zërë vend në biseda, por edhe në komunikimin me median.