Bushati për ligjin e luftës me Greqinë: Jemi më afër zgjidhjes

E publikuar: 28/09/2017 22:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shqipëria dhe Greqia janë shumë më pranë zgjidhjes së çështjes së ligjit të luftës të Athinës, që penalizon shtetas shqiptarë të hyjnë në territorin greke.

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, tha në Top Story të kësaj të enjteje se diskutimet vazhdojnë.

“Është një çështje që nuk do të doja të prodhoja lajm, por me bindje të plotë them sonte që për ligjin e luftës jemi shumë herë më afër zgjidhjes seç kemi qenë para një apo dy vitesh”, tha ai.

Ministri i Jashtëm shqiptar e quajti një praktikë të papranueshme këtë ligj.

“Por ka patur një politikë mohimi të ligjit të luftës nga qeveri të ndryshme në Greqi. Nuk është konsideruar si çështje. Ka qenë një proces i vështirë për të identifikuar çështjen. Sot Athina dhe Tirana i kanë përcjellë njëra-tjetrës në këtë 2-vjeçar disa opinione dhe takime për çështjet shqetësuese të palëve. Për një pjesë ka një ide të qartë sesi zgjidhen dhe ka relativisht dakordësi për mënyrën e zgjidhjes”, deklaroi ai.

Bushati deklaroi se bisedimet vijojnë për të gjitha problematikat mes dy vendeve dhe çështjet janë ndarë në kategori.

“Kemi rënë dakord me palën grekë për të diskutuar bazuar me një paketë që i kategorizon çështjet dhe me parimin që asgjë nuk është rënë dakord përsa kohë nuk kemi rënë dakord për të gjitha”, u tha ai.

Lidhur me çështjen e vijës detare, Bushati deklaroi se tre ekspertiza kanë arritur në përfundimin se marrëveshja e rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese cenon interesat e Shqipërisë, ndërsa për zgjidhjen po punohet në nivel ekspertësh mes dy vendeve.

“Ndërmjet ekspertëve tanë dhe atyre grekë ka pasur seanca konsultimi dhe shkëmbimi pikëpamjesh. Nuk jam në gjendje të them sonte tërheqjen e palëve sa i takon qëndrimeëve të tyre, por janë ideuar gjurmët që mund të çojnë në një marrëveshje të re. Nuk bëhet fjalë për negocim apo rinegocim të marrëveshjes së parë”, u shpreh kryediplomati shqiptar. /Top Channel/