Bursa për studentet e Universitetit të Prishtinës

E publikuar: 07/03/2016 16:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Unioni i Bizneseve Shqiptare dhe Gjermane në bashkëpunim me Odën Ekonomike Gjermano – Kosovare nga dy marsi deri më 11 mars po pranojnë aplikacione për bursat që do t`i ndajnë për studentet e Universiteteve Publike të Kosovës.

Ejup Gojnovci nga Oda Ekonomike Gjermano – Kosovare ka bërë të ditur se ndarja e bursave vetëm për studentet femra ka për qëllim avancimin e pozitës së gruas në Kosovë e Maqedoni.

Ndërkaq përparësi për të qenë përfituese të bursave sipas tij kanë studentet nga viti i dytë i studimeve e sipër me kushte të rënda ekonomike, me nota mesatare mbi 8, pastaj atyre që janë fëmijë të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve e familjarë të të pagjeturve.

Përfitueset do të përzgjidhen  në fund të këtij muaji deri sa bursat do të nisin të ndahen nga muaji prill.

Shuma mujore do të jetë 100 euro në muaj për periudhën njëvjeçare.

Gojnovci bëri të ditur se do të ndahet afërsisht 100 bursa, 10 prej të cilave do të jenë për studentet e Universiteteve Shtetërore të Tetovës. Aplikimi deri më 11 mars mund të bëhet direkt në zyrat e Odës Ekonomike Gjermano – Kosovare apo nëpërmjet ueb  faqes wwww.union-business.de dhe www.oegjk.eu .