Një 52-vjeçar është shpallur fajtor nga Gjykata e Tiranës për “ngacmim seksual” dhe “dhunim të banesës” së fqinjës së tij të martuar.
Sipas Gjykatës, i pandehuri Fatmir S. i ka hyrë pa leje në shtëpi komshies M.P., në një moment kur ajo nuk e kishte bashkëshortin dhe pasi e ka prekur në pjesë intime, i ka kërkuar marrëdhënie seksuale.
Refuzimi i gruas e ka larguar, por të nesërmen ai i ka përsëritur ngacmimet në oborrin e përbashkët të banesave të tyre. Referuar provave, Gjykata e ka vlerësuar si të provuar faktin se i pandehuri ka hyrë në banesën e shtetases M.P. pa dëshirën e saj, duke dhunuar banesën në këtë formë, si edhe e ka ngacmuar seksualisht atë. Fatmir S. u dënua me 10 muaj burg për kryerjen e dy veprave penale, por ai nuk do të qëndrojë asnjë ditë në qeli. Në të njëjtin vendim, të shpallur pak ditë më parë, Gjykata pezulloi dënimin e tij me burg, duke e lënë në liri me kusht për një periudhë 18mujore.
NGACMIMI
Sipas kallëzimit të shtetases M.P., në muajin dhjetor të vitit të kaluar, i pandehuri i ka hyrë në shtëpi, pa lejen e saj, duke përfituar nga fakti se ajo nuk e kishte bashkëshortin në banesë. Kallëzuesja ka pretenduar se Fatmir S. e ka prekur në gjoks dhe i ka kërkuar që të kryenin veprime seksuale të ndryshme. Ajo nuk ka pranuar dhe i ka kërkuar fqinjit të saj të largohet. Sipas saj, Fatmir S. është larguar, por i ka thënë se do të kthehej sërish. Referuar kallëzimit, të cituar në vendimin e Gjykatës së Tiranës, një ditë pas këtij episodi Fatmir S. e ka ngacmuar fqinjën e tij në oborrin e përbashkët të banesave të tyre. Fatmiri i është afruar asaj dhe i ka kërkuar veprime seksuale, duke i premtuar edhe lekë. Pas këtij momenti, kallëzuesja ka vënë në dijeni bashkëshortin për ngjarjen dhe më pas ka shkuar në Komisariatin e Policisë nr.3, Tiranë, ku ka bërë kallëzim para oficerëve të Policisë Gjyqësore.
“NJE TESTIKUL”
Gjatë gjykimit i pandehuri ka mbajtur qëndrim mohues ndaj të dyja akuzave të Prokurorisë ndaj tij. Për asnjë moment 52vjeçari nuk e ka pranuar fajësinë, apo ndonjë prej pretendimeve të organit të hetimit. Përmes avokatit të tij mbrojtës, ai ka pretenduar se nuk ka hyrë në banesën e kallëzueses M.P. Sipas tij, meqenëse banesat e tyre kanë oborr të përbashkët, ai është shkëmbyer me të, por nuk e ka ngacmuar seksualisht. Sipas avokatit Stefan Topalli, kallëzuesja M.P. e ka thirrur klientin e tij për të pirë cigare, por ai nuk ka pranuar dhe është larguar. Avokati ka pretenduar se i pandehuri ka probleme të rënda shëndetësore, se i mungon një testikul, se ka probleme të rënda me mushkërinë dhe se është invalid. Nuk ka asnjë akt ekspertimi, është shprehur avokati, që të provojë faktin se ka pasur ngacmim seksual. Në përfundim, mbrojtësi ka kërkuar deklarimin e pafajshëm të klientit të tij./panorama