Para se Donald Trump të bëhej udhëheqës i SHBA-ve, Bussa Krishna mendonte se presidenti amerikan kishte diçka të veçantë.
Dhe për tri vitet e fundit, siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, 31-vjeçari nga Hyderabad, Indi, mban imazhin e Trump me vete dhe i lutet atij disa herë në ditë.
Madje, për të ndihmuar përkushtimin e tij, ai krijoi një faqe në Facebook, ku ai vendos videot dhe imazhet e tij.
Fillimisht i frymëzuar nga fushata zgjedhore e presidentit ‘Make America Great’, Krishna nuk kishte asnjë pikëpamje nëse shtimi i Trump në “perënditë e tij” e ndihmoi të zgjidhej president.
“Familja dhe bashkëfshatarët më quajnë të çmendur. Një herë ata më sugjeruan që unë duhet të vizitoj një psikolog. Unë u thashë atyre: Unë jo, ndoshta ju duhet të shkoni, sepse ai është zot im dhe nuk shqetësohem për gjërat që thonë të tjerët”, rrëfen ai.
Një gjë të tillë, indiani nuk e bën vetëm në shtëpinë e tij – nëse ai shkon në dyqan, ose në fusha, ai gjithmonë mbart imazhin e Trump me vete. /Telegrafi/