Burgu është pak për ty, i thotë gazetarja e KTV-së Ministrit të Shëndetësisë

E publikuar: 26/07/2017 01:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gazetarja e KTV-së, Ardiana Thaçi ka akuzuar rëndë Ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Imet Rrahmanin duke thënë se “burgu është pak për të” dhe se ai meriton më të tmerrshmen, mizoren pasi ka marrë në qafë dhjetëra persona që vuajnë nga diabeti.

E për krejt këto akuza në drejtim të Ministrit në detyrë të Shëndetësisë gazetarja Thaçi ka pasur një eksperiencë personale me babain e saj.

Babait të gazetares duket se i është rënduar gjendja shëndetësore, pasi siç thotë ajo, ai ka përdorur insulinën biosemilare, që është sjellë nga ministri Rrahmani, njofton Klan Kosova.

Sipas gazetares, këtë preparat askush në Evropë nuk e përdor, madje as vendet më të varfra në botë.

“Nuk janë minj laboratorësh, Imet, janë njerëz, janë prindër dhe fëmijë të dikujt, janë plot 12 mijë jetë, që ti i more në qafë. Po ta përsëris mund të bësh pazare me jetën tënd, e po deshe bëjë pazar edhe me jetën e familjes tënde, por kurrë, kurrë mos të shkojë në mendje që çmimin për bizneset e tua të pista t’i vësh në llogarinë e jetës së prindit tim”, ka shkruar Thaçi.

Për të kuptuar më shumë detaje lidhur me këto akuza të gazetares drejtuar ministrit Rrahmani lexojeni më poshtë statusin e saj të plotë:

Burgu është pak për ty, ministër në detyrë i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ti meriton më të tmerrshmen, më mizoren, more në qafë dhjetëra diabetik… Ti zaten je edhe vetë mjek dhe besoj që e di përmendsh Betimin e Hipokratit, andaj po të pyes: pse veprove me hipokrizi? Ti solle në Kosovë, vitin e kaluar, një preparat që askush në Evropë nuk e përdor, madje as vendet më të varfra në botë, INSULINËN BIOSEMILARE. ….. Në nëntorin e kaluar, po merrja pjesë në një seancë të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, e po bëhesha gati të kthehesha në punë kur deputetja Flora Brovina më afrohet e me thotë: “Kemi një tjetër takimi, është një skandal, do të flasim për insulinën”.

I bëra me dije kameramanit se po qëndronim, më interesonte tema, jam rritur në praninë e saj – insulinës. Minutë pas minute unë po shokohesha: dy endokrinologë, Bardhyl Gashi e Luan Gola, po ua shpjegonin në detaje deputetëve pasojat e Insulinës Biosemilare që kishte pak muaj që Ministria e Shëndetësisë e kishte sjellë në Kosovë dhe po e zëvendësonte me Insulinën Humane apo atë analoge moderne, që ishte përdorur më parë në Kosovë.. Citoj dr. Bardhylin, “…kjo insulinë ka vetëm dy nga 6 përbërësit e insulinës humane..”,derisa dr.Luani po shpjegonte për problemet, me të cilat po përballeshin pacientët pas implementimit të saj.

I mbaj mend mirë deklarimet e tua, Imet Rrahamani, pas kësaj, në fundin e vitit të kaluar kur the se bari ishte në rregull dhe nuk ka vend për panik, por që, sipas teje, ishte punë biznesi zhurma rreth insulinës, pavarësisht që QKUK-ja ta kishte bojkotuar këtë ilaç, i cili është jetik për të sëmurët nga diabeti.

Por, e kishe gabim, edhe pse jam e sigurt se ti e dije që e kishe gabim dhe tash po më del, se ishe ti ai që paske bëre biznes me jetët e të tjerëve… Biosemilaren që ti e solle edhe për të cilën endokrinologët, ta kanë shpjeguar me dhjetëra herë që është e dëmshme dhe nuk mund të ketë efektin e një insuline humane, gati i mori jetën prindit tim.

“Ka mundur të pësonte komë diabetike, ka ditë që nuk e ka dhënë efektin e saj insulina”, ishin fjalët e endokrinologut që na i tha mbrëmë, pasi kontrolloi babanë, i cili kishte ditë të tëra që nuk po ndihej mirë, i kishte humbur fuqia dhe kishte rënë shumë në peshë. “Duhet ta ndërrojë insulinën, ajo nuk është në rregull, në fakt nuk ka qenë asnjëherë e tillë..”, në këto moment më doli para syve fytyra jote – hipokrite

. Ministër ka më shumë se 12 vjet që punoj në media, dhe kam parë e kam dëgjuar besa edhe kam raportuar për lloj-lloj korrupsioni, por këtë që bëre ti, nuk mund t’ia vë një emër, është mizore.

Ka shumë raste, ministër, që insulina jote i dërgoi në varr, ua shkatërroi veshkat madje edhe i verboi. Uroj dhe shpresoj shumë që helmi që ti e fute në treg, e të cilin përveç babës tem e morën edhe 12 mije të tjerë, të mos ketë lënë pasoja të tjera, sepse unë e ti do të kemi një përballje, nëse jo në gjyq, atëherë do të jetë përballje sy me sy.

E di që nuk është normale të shprehem kështu, por të dërgosh me dhjetëra njerëz në prag të vdekjes për tekat e tua, është e tmerrshme, është mizore, është edhe më tepër se kaq.

Nuk janë minj laboratorësh, Imet, janë njerëz, janë prindër dhe fëmijë të dikujt, janë plot 12 mijë jetë, që ti i more në qafë.

Po ta përsëris mund të bësh pazare me jetën tënd, e po deshe bëjë pazar edhe me jetën e familjes tënde, por kurrë, kurrë mos të shkojë në mendje që çmimin për bizneset e tua të pista t’i vësh në llogarinë e jetës së prindit tim!!!

P.S.Ky është një qendrim personal dhe nuk ka të bëjë me punën time si gazetare!