Kryesia e Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovë (FSBK), fton të gjithë bujqit e Kosovës që të dalin në protestën e datës 17 shkurt, në ora 14:00, kundër Qeverisë së Kosovës që ka nënshkruar marrëveshje shumë të dëmshme me Serbinë dhe Malin e Zi.
“Nga këto marrëveshje dëmtohen rëndë Republika e Kosovës, e sidomos bujqit, sepse humbasim mijëra hektarë tokë me Malin e Zi, e nëse instalohet “Zajednica” humbasim dhjetëra mijëra hektarë tokë bujqësore, livadhe, kullosa, pyje, e të ngjashme. Liqeni i Ujmanit, që shfrytëzohet shumë edhe për ujitje, nuk do të menaxhohej më nga Kosova, por nga ‘Zajednica’”, thekson komunikata e FSBK-së që drejtohet nga Tahir Tahiri ish-kandidat për deputet i Vetëvendosjes.
Këta qeveritarë, tash e sa vite, kanë shkelur bujqit dhe qytetarët tjerë të Kosovës. Këta janë të papërmirësueshëm, andaj duhet të largohen nga pushteti. Nuk krijuan kushte për zhvillimin e bujqësisë, dhe nuk i siguruan treg prodhimit vendor. Me këta në pushtet, nuk kemi mirëqenie as tash, e nuk do të ketë mirëqenie as për brezat e ardhshëm.
Prandaj, edhe njëherë, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, sidomos bujqve, që të dalin pasivisht në protestën e 17 shkurtit, që të kontribuojmë kështu për një të ardhme më të mirë për popullin dhe Republikën e Kosovës.