Bugaqku nga KDI: Procedura për nënkryetarin serb e qartë nga Gjykata Kushtetuese

E publikuar: 29/01/2026 13:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vullnet Bugaqku nga KDI për RTV21, ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka sqaruar procedurën për zgjedhjen e nënkryetarit që përfaqëson komunitetin serb në Kuvend.  Sipas tij, vendimi thekson se e drejta për të propozuar kandidatin i takon shumicës së deputetëve serbë, ndërsa mekanizmi i shortit përdoret vetëm si masë përjashtuese në rast se nuk propozohet kandidat.

Gjykata gjithashtu nënvizon se zgjedhja nuk duhet të bazohet mbi preferenca politike apo partiake, duke siguruar përfaqësimin ligjor të komunitetit serb, ndërsa interpretimet e ndryshme të kryetarit të Kuvendit nuk janë përfundimtare dhe mund të rishikohen nga autoriteti kushtetues.

”Gjykata Kushtetuese, me njoftimin e djeshëm, thuajse e bëri të qartë procedurën dhe zgjedhjen e nënkryetarit që përfaqëson komunitetin serb në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ashtu siç ka elaboruar paraprakisht edhe në një vendim të mëparshëm. Gjykata edhe njëherë sqaroi faktin që e drejta e propozimit të kandidatit për nënkryetar të komunitetit serb i takon domosdoshmërish shumicës së deputetëve, të cilët e përfaqësojnë komunitetin serb në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Për më tepër, vendimi e bëri të qartë edhe situatën që mekanizmi de-bllokues, i cili nënkupton procedurën e shortit, mundësia e zgjedhjes së një kandidati tjetër nëpërmjet procedurës së shortit është mekanizëm përjashtues apo rregull përjashtues, i përdorur vetëm në një situatë. Kur subjekti parlamentar ka të drejtën e propozimit dhe refuzon të propozojë ose nuk propozon asnjë kandidat për nënkryetar të Kuvendit, atëherë sipas rregullores në fuqi lejohet që të zhvillohet procedura e shortit. Në këtë rast, shumica e votave e deputetëve të Kuvendit të Kosovës zgjedh nënkryetarin e Kuvendit”, tha Bugaqku.

Ai tutje ka shtuar se ‘Interpretim i gabuar nga kryetari i Kuvendit, Basha, për faktin se me Kushtetutë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës është autoriteti i vetëm përfundimtar që bën vlerësimin final dhe përfundimtar të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Megjithatë, ky interpretim i nënkryetarit të Kuvendit nuk do të thotë që është final dhe i pa-apelueshëm në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese e bëri të qartë edhe faktin që zgjedhja e nënkryetarit serb nuk duhet të bëhet mbi bazën e preferencave politike dhe partiake”.

Sipas Bugaqkut nuk duhet të harrohet se nuk ka konstituim të Kuvendit pa u zgjedhur nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës.