Bugajski: Bllokimi i institucioneve dëmton stabilitetin e Kosovës (Video)

E publikuar: 30/10/2015 23:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Analisti i Ballkanit, Janusz Bugajski, thotë se bllokimi i institucioneve nga opozita në Kosovë, vë në rrezik stabilitetin e vendit. Por Bugajski, studiues në Qendrën për Analiza të Politikave Evropiane, fajëson edhe qeverinë që nuk ka diskutuar dhe shpjeguar hapur hollësitë e marrëveshjeve. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Bugajski thotë se gjendja e krijuar në Kosovë u jep argumente atyre që thonë se ajo është një shtet i dështuar. Analisti Bugajski analizon edhe situatën e përgjithshme në rajon dhe ndikimin që po përpiqet të ushtrojë Rusia.

“Debati për marrëveshjen me Serbinë duhet të bëhet i hapur në parlament sado që të zgjasë, të bëhet në arenën publike. Nuk e ka fajin vetëm opozita. Unë mendoj se qeveria ka faj që nuk ia ka shpjeguar publikut, parlamentit, hollësitë e këtyre marrëveshjeve dhe se çfarë do të sjellin ato. Kjo krijon dyshime, akuza se qeveria po fsheh diçka, se ky mund të jetë hapi parë drejt ndarjes, ose një strukturë e ngjashme me atë të Bosnje-Hercegovinës. Kjo lejon shumë hapësirë për spekullim. Unë do të doja të shihja një debat të hapur dhe publik në parlament, por edhe në media. E njoh mirë marrëveshjen. Nuk shoh ndonjë mundësi në këtë moment se mund të kthehet në një Bosnje tjetër. Në Kosovë ka një balancë krejt të ndryshme të popullsisë. Popullsia shqiptare e Kosovës është një shumicë dërrmuese. Popullsia serbe është pakicë, diçka nën tetë për qind. Në Bosnjë bëhet fjalë për tre kombe që e konsiderojnë veten shtetformuese. Në Kosovë nuk ka një ndarje si në Bosnje qoftë administrative ose përsa i takon identitetit. Pakicat kanë të drejta, sipas plant Ahtisaari, sipas Kushtetutës. Çështja është nëse Asociacioni i Komunave serbe mund të kthehet në ndonjë strukturë administrative që mund të bllokojë qeverinë qendrore, që mund të bllokojë Kosovën si shtet integral. Një gjë e tillë duhet të parandalohet shprehimisht: që çfarëdolloj asociacioni të jetë, nuk mund të kthehet në një njësi të veçantë apo rajon autonom brenda Kosovës. Kjo duhet të bëhet absolutisht e qartë”, tha Bugajski.

Thotë se zgjidhja më e mirë është të debatohet në Kuvend.

“Zgjidhja më e mirë do të ishte kthimi në parlament, të ndiqet kushtetuta, të debatohen çështje të rëndësishme si kjo marrëveshje dhe t’i kthehen punës. Unë nuk besoj tek bojkotimi i institucioneve demokratike. Zgjedhje të parakohëshme, nëse të gjithë bien dakord, në rregull, por ndonjëherë zgjedhjet janë një mënyrë për t’i zvarritur gjërat, pa zgjidhur asgjë. Herët a vonë, shumica duhet të formojë një qeveri koalicioni, duhet të ulesh në parlament, të diskutosh dhe miratosh ligje, politika dhe të ecësh përpara. Kjo nuk po ndodh dhe është shumë negative për Kosovën”, tha ai.