Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka njoftuar se është përzgjedhur zyrtarisht si Enlargement Candidate Member (ECM) në kuadër të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (European Economic and Social Committee – EESC), një nga institucionet më të rëndësishme këshillëdhënëse të Bashkimit Evropian për dialogun social dhe shoqërinë civile.
Sipas njoftimit, ky vendim i EESC-së përbën një njohje të drejtpërdrejtë institucionale evropiane për rolin, seriozitetin dhe përfaqësimin e BSPK-së si zë autentik i punëtorëve të Kosovës, si dhe një hap me rëndësi të veçantë në integrimin gradual të Kosovës në mekanizmat evropianë të dialogut social dhe vendimmarrjes konsultative.
“Ky status i mundëson BSPK-së pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në hartimin e opinioneve të EESC-së që lidhen me shoqërinë civile dhe me vendet potenciale kandidate, duke e vendosur sindikalizmin kosovar në tryezat ku artikulohen politikat evropiane për punën, të drejtat sociale dhe drejtësinë ekonomike”, thuhet në njoftim.
BSPK thekson se kjo arritje është rezultat i një pune të vazhdueshme dhe i një vizioni të qartë institucional, të udhëhequr nga kryetari i saj, Prof. dr. Atdhe Hykolli.
“Nën drejtimin e tij, BSPK është konsoliduar si organizatë serioze, e besueshme dhe e orientuar qartësisht drejt vlerave evropiane, duke u shndërruar në zë të fuqishëm të të punësuarve dhe në gardian të pakompromis të të drejtave të punëtorit”, vlerësohet më tej.
Në njoftim thuhet se udhëheqja e Prof. dr. Hykollit e ka pozicionuar BSPK-në jo vetëm si aktor sindikal kombëtar, por edhe si subjekt politikisht të pjekur dhe profesionalisht kredibil.
“BSPK e kupton Evropën jo si slogan, por si standard të punës, dinjitetit dhe drejtësisë sociale, duke kontribuar që Kosova të jetë subjekt aktiv në ndërtimin e dialogut social evropian”, theksohet në komunikatë.
BSPK e konsideron këtë përzgjedhje si përgjegjësi shtesë për të thelluar angazhimin në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve, për të forcuar dialogun social dhe për ta përfaqësuar Kosovën me dinjitet, dije dhe integritet në institucionet e Bashkimit Evropian.
“Ky është një hap përpara për BSPK-në, për sindikalizmin kosovar dhe për vetë Kosovën. Është dëshmi se puna e ndershme, këmbëngulja institucionale dhe orientimi i qartë evropian japin rezultat. BSPK është zëri i punëtorit, në Kosovë dhe në Evropë”, thuhet tutje.



















