Jo vetëm Shqipëri-Serbi por edhe Portugali-Danimarkë vëmendja e të gjithë shqiptarëve mbërmjen e kësaj të Enjteje nuk do të jetë vetëm në Elbasan Arena por edhe në Braga aty ku do të luhet një sfidë shumë e rëndësishme për fatet e grupit I. Një fitore e Portugalisë ndaj Danimarkës e shoqëruar me një sukses të mundshëm të Shqipërisë ndaj Serbisë do ti jepte kualifikimin matematikor kombëtares kuqezi në Francë 2016. Në Shqipëri kanë frikë për një kompromis mes kombëtares luzitane dhe asaj skandinave në përballjen e Bragas që mund të vështirësonte kualifikimin direkt në europian të skuadrës së De Biasit. Por nuk ndan të njëjtin mendim mbrojtësi i Portugalisë Bruno Alves i cili siguron se skuadra e Fernando Santos do të zbresë në fushë për të marrë një fitore që do të mbyllte cështjen e kualifikimit për kombëtaren luzitane.
” Nuk kemi asnjë dyshim, ajo që ne duam është të luajmë mirë dhe të fitojmë ndaj Danimarkës. Nuk duam ta humbasim shasin që na është dhënë për të mbyllur cështjen e kualifikimit direkt në europianin francez. Nëse bëjmë një paraqitje të mirë në mbrojtje, unë mendoj se mund ta kalojmë me sukses Danimarkën”.
Në vijim qëndërmbrojtësi i Fenerbahces u përqëndrua te Danimarka duke analizuar pikat forta dhe ato të dobëta të kombëtares që drejtohet nga Morten Olsen.
” Danimarka është një skuadër e fortë. Ata do të vinë këtu për të na sulmuar pasi janë një ekip që nuk qëndrojnë asnjëherë në pritje të asaj se cfarë mund të bëjë kundërshtari. Gjithsesi një plus për ne është që i njohim shumë mirë danezët. Ata janë një kombëtare që nuk kanë ndryshuar shumë dhe ne kemi luajtur disa herë ndaj tyre në vitet e fundit. Danimarka është një skuadër tek e cila mbizotëron shtatlartësia dhe në këtë aspekt duhet të bëjmë shumë kujdes”./ss/