Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka shprehur bindjen se temë kryesore gjatë darkës, e cila do të mbahet në Dhomën e Lordëve, Dhomën e Lartë të Parlamentit të Britanisë së Madhe, do të jetë gjendja aktuale në Kosovë.
Ajo, pas panelit “Cila është e ardhmja e dixhitalizimit?” në Londër, ku ndodhet për një vizitë dyditore, tha se shpreson që darka e punës me të dërguarin e Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, të jetë e hapur dhe e ndershme.
“Besoj se situata në Kosovë do të jetë tema kryesore sonte në darkën në Dhomën e Lordëve dhe i dërguari special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, ka zgjedhur bashkëbisedues nga Dhoma e Lordëve. Kështu që do të kemi një darkë pune krejtësisht të hapur, pa praninë e mediave dhe në këtë kuptim do të mund të jemi të hapur dhe të sinqertë me njëri-tjetrin”, tha Brnabiq për Tanjug.
“Kjo është një situatë e paqëndrueshmërisë ekstreme, shkeljes së të gjitha të drejtave të serbëve në Kosovë, pushtimit me forcë të objekteve komunale në veri të krahinës dhe shpresoj që pas darkës së punës sonte dhe takimeve të nesërme të jemi në gjendje të llogarisë në mirëkuptim dhe komunikim më të mirë midis Britanisë së Madhe dhe Serbisë”, tha Brnabiq.
Ajo shtoi se Peach është një njeri me të cilin është e lehtë të bësh biseda dhe që e njeh shumë mirë Ballkanin.
“Ai është një njeri jashtëzakonisht i hapur, i drejtë dhe objektiv dhe Serbia nuk do të mund të kishte një bashkëbisedues më të mirë në Britaninë e Madhe, por përsëri ne e dimë se për arsye të ndryshme këto marrëdhënie nuk janë gjithmonë më të lehtat e mundshme”.