Britania thirrje për rregullimin e përmbajtjeve të lajmeve që shpërndahen në Facebook dhe Google

E publikuar: 12/02/2019 22:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Platformat online si Google, Facebook dhe Apple duhet të rregullohen për mënyrën sesi shpërndajnë lajmet sipas një raporti të qeverisë Britanike.

Raporti i publikuar ditën e Marte thotë se rregullatori shtetëror duhet të sigurohet se firmat teknologjike kanë marrë masat e duhura që përdoruesit të identifikojnë lehtësisht lajmet e besueshme në platformat e tyre.

Në të thuhet se kompanitë si Facebook dhe Google duhet të ndërtojnë iniciativa për të luftuar përmbajtjet e rreme.

Sajtet online si Facebook, Twitter dhe YouTube janë vënë përballë një lumi kritikash sepse kanë lejuar përhapjen e përmbajtjeve të rreme në platformat e tyre.

Si rezultat ato kanë investuar në masa sigurie për të eliminuar llogaritë e rreme dhe dezinformimin. Megjithatë Britania thotë se këto përpjekje duhet të mbikëqyren nga një agjenci qeveritare. Gjithashtu thuhet se rrjetet social duhet të nënshkruajnë një “kod sjelljeje” me publikuesit.

Kryeministrja Britanike Tereza Mej porositi raportin në 2018-ën për të hetuar prodhimin dhe shpërndarjen e gazetarisë cilësore.

Nevoja për rregullim

Gjetjet e raportit Britanik mund të shtojnë presionin për të rregulluar kompanitë teknologjike jo vetëm në Britani por edhe Evropë.

Raporti kërkonte nga autoriteti Britanik i konkurrencës për të hetuar industrinë e reklamimit online për të siguruar konkurrencën e ndershme. Google dhe Facebook zënë 54% të të ardhurave nga reklamimi online.

Javën e kaluar autoritetet Gjermane vendosën se Facebook kishte abuzuar me pozitat dominuese në treg për mënyrën sesi grumbullon dhe menaxhon të dhënat e përdoruesve.

Autoriteti thoshte se Facebook nuk mund të kombinojë të dhënat nga aplikacione të tjera si Instagram dhe WhatsApp për të krijuar një profil të tyre të interesave pa dijeninë e përdoruesve.

Facebook tha se do të apelonte vendimin. Ekspertët ligjorë thonë se Evropa është në pozita të shkëlqyera për të nisur një sulm kundër abuzimeve të kompanive teknologjike.

Krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian aktualisht po heton Google për abuzime me biznesin e reklamimit. Komisioni Evropian ka dhënë dy gjoba rekord në drejtim të kompanisë për abuzimin me sistemin operativ Android dhe shërbimin e shitblerjes online. /PCWorld Albanian