Në një shpellë të Marokut, është gjetur një thikë e krijuar nga brinja e kafshëve, e vjetër rreth 90,000 vjet.
Gjetja tregon se paraardhësit tanë nga veriu i Afrikës, kanë përdorur ‘vegla të sofistikuara nga eshtrat’ më herët se që është menduar, madje 40,000 vjet para Neandertalëve, transmeton Telegrafi.
Kjo është vegla më e vjetër që është përpunuar nga kultura Ateriane, që ka jetuar në pjesën veriore të Afrikës, gjatë Epokës së Mesme të Gurit.
Bazuar në artefaktet, në këtë kulturë janë krijuar veglat më të avancuara, në krahasim me ato të kohës së njëjtë në kulturën sub-sahariane. Gjë që lë të nënkuptohet, se në atë kohë ishte zhvilluar një sistem i veçantë pune në Afrikën e Veriut.
Vegla është gjetur me 2012, në shpellën Dar es-Soltan 1, që ndodhet afro 260 metra afër bregdetit Atlantik të Marokut.
Dr Silvia Bello, që është duke e udhëhequr studimin, beson se ashti i përket një gjitari me trup të madh. Studimi tregon se brinja e gjatë rreth 12 centimetra, është mprehur dhe i është dhënë formë që të përdoret si thikë.
“Ky është shembulli i vetëm në të gjithë Afrikën, që njerëzit e lashtë, kanë punuar thika të sofistikuara për kohën, para rreth 100 mijë vitesh”, ka thënë Dr Bello.
Megjithëse nuk dihet se për çfarë është përdorur, besohet se me të janë prerë materie të buta, ndërsa nuk besohet se është shfrytëzuar për gjueti. /Telegrafi/