“Brezovica 1”, inspektori i akuzuar thotë se lejet ndërtimore lëshohen nga drejtori i Urbanizmit

E publikuar: 29/04/2024 19:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ferizaj- Hysni Bajrami, i cili akuzohet se si inspektor komunal i ndërtimit ka keqpërdorur detyrën zyrtare, në rastin “Brezovica 1”, deklaroi se lejet ndërtimore lëshohen nga drejtori i Urbanizmit.

Bajrami tha se që nga fillimi i vitit 2021 ka filluar transformimi i drejtorive, kështu që Inspektorati i Urbanizmit ka kaluar nga Drejtoria e Urbanizmit në Drejtori të Inspektoratit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Drejtoria e Urbanizmit në krye me drejtorin i lëshon lejet ndërtimore dhe i njëjti i nënshkruan ato”, tha i akuzuari Bajrami.

I akuzuari tha se si inspektorë kur dalin në terren veprojnë në bazë të legjislacionit që është në fuqi, i cili iu shërben për kryerjen e detyrave të tyre.

Mbrojtësi i Bajramit, avokati Elmaz Zenuni e ka pyetur të akuzuarin që nëse hasin në ndonjë person që ndërton pa leje ndërtimore si veprojnë, i akuzuari tha se sugjerojnë t’i ndalin punimet dhe të ushtrojnë kërkesë përkatëse në organet kompetente.

“E sugjeroj të ndërprejë punimet dhe të ushtrojë kërkesë përkatëse në Drejtorinë e Urbanizmit për leje ndërtimore siç parashihet me ligj. Pastaj, bëjmë procesverbal që t’i ndërpres punimet, vendosim shiritin mund të shqiptojmë dhe gjobë”, tha Bajrami.

I akuzuari Bajrami, më pas ka treguar ecurinë e rastit të gjashtë villave të të akuzuarit Riad Hasani.

“Ne si Inspektorat kemi dalë në vend të ngjarjes tek ky ndërtues, i kemi përcjellë punimet vazhdimisht se i njëjti ka pas mbi gjashtë objekte duke u ndërtuar, përafërsisht dhe 20 objekte të tjera. Unë dhe Dragomiri kemi kërku dokumente, dhe pas një kohe na u ka afru ai dokument për shfuqizim, përkatësisht vendimin për 6 leje ndërtimore për Riad Hasanin, ku mandej kemi shku në vendndërtim dhe kemi has te punëtorët dhe kemi kërkuar pronarin Riad Hasani”, tha ai.

I akuzuari Bajrami tha se atë ditë Hasani nuk ishte aty dhe ata u kanë thënë punëtorëve të ndërpresin punimet.

Prokurori Rasim Maloku e pyeti të akuzuarin Bajrami se bazuar në inspektimet që kanë bërë në vendpunishten e Hasanit, çfarë kulture ka qenë ai truall që u ndërtua.

“Normal pyll, mal, por saktë me kultura nuk e di”, u përgjigj Bajrami.

I pyetur se kush e ka marrë vendimin për shfuqizimin e gjashtë lejeve ndërtimore, i akuzuari tha se Dimitrije Raciceviq e ka marrë këtë vendim si drejtor.

“Ne si inspektorë të ndërtimit, unë konsideroj se ai objekt nuk ka ligjitimitet as nuk guxon me u ndërtu më tutje”, tha i akuzuari Bajrami.

Në këtë seancë ka dhënë mbrojtjen edhe i akuzuari Labinot Vitija, i cili akuzohet për degradim në Parkun Kombëtar Sharri, duke ndërtuar pesë vikendica në zonën e dytë dhe të tretë të parkut.

“Këto pesë villa janë në emër tim, gjatë ndërtimit të këtyre vikend-shtëpizave kemi pas inspektim vetëm një herë nga inspektorët komunalë, më asnjëherë tjetër”, tha Vitija.

Ai tha se në vitin 2016 policia i kishte lënë letër për t’u paraqitur, për çka dhe i është përgjigjur.

“Këto vikend-shtëpiza të gjitha janë në fazën e nën kulmit, tri kanë pas dhe fasadë, kjo për të cilën akuzohem nuk ka përfundu, nuk kam marrë më asnjë veprim në të”, tha tutje i akuzuari Vitija.

Prokurori e pyeti nëse këto villa i ka ndërtuar si kompleks, kurse i akuzuari Vitija tha jo i kishte filluar një nga një.

“Nuk kam pas njohuri që më duhet pëlqim mjedisor, Dragomiri dhe Hysnia këta dy zyrtarët komunalë kanë qenë në fillim, më kanë kërkuar lejen ndërtimore, e kanë kontrolluar dhe janë larguar”, tha Vitija.

Të akuzuar në rastin “Brezovica 1” janë Dimitrije Reciceviq, Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Sanije Geci, Naser Kelmendi, Fatmir Grainca, Blerim Imeri, Riad Hasani, Labinot Vitija, Gentjan Sula dhe Arian Idrizaj.

Në seancën e mbajtur më 9 gusht 2023, prokurori Rasim Maloku është tërhequr nga akuza ndaj të akuzuarve Dimitrije Reciceviq dhe Sanije Geci.

Më 1 shkurt 2024, tre të akuzuarit Blerim Imeri, Naser Kelmendi dhe Arian Idrizaj janë dënuar 65 mijë euro (së bashku) për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”

Kurse, më 5 shkurt 2024, i akuzuari Gentjan Sula është deklaruar i pafajshëm për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”. Ndaj tij, në seancën e mbajtur më 6 shtator 2023, ishte veçuar procedura.

Ndërsa, në seancën e mbajtur më 6 shkurt 2024, i akuzuari Riad Hasani është dënuar me 15 mijë euro gjobë për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”.

Më 15 shkurt 2024, i akuzuari Fatmir Grainca është dënuar me 15 mijë euro gjobë për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”.

Andaj, gjykimi në rastin “Brezovica 1” është duke vazhduar për të akuzuarit Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Labinot Vitija dhe Gentjan Sula. Ky i fundit në gjykim të ndarë ndaj tre të tjerëve.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Dimitrije Reciceviq në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit, akuzohej se ka lëshuar leje ndërtimore në zonën ku ishte i ndaluar ndërtimi në Parkun Kombëtar “Sharri”. Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.

Kurse, Dragomir Millosavljeviq dhe Hysni Bajrami si inspektorë komunalë të ndërtimit akuzohen se nuk kanë ndërmarrë veprime për ndalimin e ndërtimit të objekteve të ndërtuara në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar Sharri, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat në Kosovë.

Me këtë, ata akuzohen se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se Gentjan Sula si person përgjegjës – investitor i ndërmarrjes “Stela Consulting” SHPK me seli në Prishtinë, Naser Kelmendi si person përgjegjës i ndërmarrjes “Nic Holding”, Arian Idrizaj si person i autorizuar i investitorit UMSH “Rezonanca” në Prishtinë, Labinot Vitija si pronar i parcelës kadastrale numër 5713/6, Fatmir Grainca si pronar i parcelës kadastrale numër 5602/1ZK Shtërpcë, Blerim Imeri si pronar i parcelës kadastrale në sipërfaqe prej 30 ari ZK Verbeshticë, Sanije Geci si pronare e parcelës kadastrale nr.5799/16 dhe 5799/17 dhe Riad Hasani si pronar i parcelës kadastrale nr.5713 në sipërfaqe prej 1 hektar e 32 m2, ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit” nga neni 347 par.1 lidhur me par.5 të KPRK-së.