Të gjithë ata që dëshirojnë të vizitojnë njërën nga kafiteritë e zinxhirit të “Bikinibeansespress” në Phoenix të Arizonës, duhet ta dinë se atje do t’ju shërbejnë femrat e veshura me rroba banjo.
Që nga themelimi i kafiterisë, ky biznes filloi të zhvillohet me hapa të shpejtë, dhe kështu pronarët u zgjeruan duke i hapur kafiteritë në qytetin Tampa, tjetrin në Washington dhe kështu me radhë, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, në këtë rast nuk shkelen të drejtat e vajzave, por sipas menaxhmenti – ato punojnë në atë drejtim që të drejtat e tyre të respektohen më shumë.
Sipas asaj çfarë shkruan në ueb-faqen e tyre, ato dëshirojnë të inspirojnë njerëzit që ta jetojnë jetën në maksimum, dhe të shijojnë pijet që ato ua servojnë.
Megjithatë, ky zinxhir i kafiterive deri më sot është ballafaquar me një numër kritikash. Para se të hapej kafiteria në Tampa, ku zyrtari lokal Colby Granville kishte bërë prerjen e shiritit, ka shkruar në profilin e tij në Facebook se urren fakti se kishte ndërmarrë një veprim të tillë.
“I kam kaluar tre vite duke u dhënë leksione vajzave të reja në shkollë të mesme, duke u thënë se mund të jenë konkurrente në çdo sferë, kurse ato tani do të shohin këtë kafiteri dhe do të mendojnë se ato vlejnë nëse ua kënaqin sytë tjerëve”, ka shkruar ai.
Ideja për të nisur një biznes të tillë u kishte ardhur në kokë çiftit bashkëshortor Ben dhe Regina Liles. Kjo dyshe nga Seattle ishin zhvendosur në Phoenix, ku brenda një kohe të shkurtër filluan punën me kafiteri.
Regina e cila gjithashtu ka punuar si banakiere, mendonte se diçka po i mungon qytetarëve të Phoenix-it.
Ndërkaq, vajzat që punojnë në këto kafiteri nuk besojnë se janë “detyruar” të zhvishen, përkundrazi janë të kënaqura me kompaninë në të cilën punojnë.
Ato kanë pranuar se profili i tyre në Facebook, vazhdimisht pranon komente pozitive, ndërsa kjo nuk është puna e vetme me të cilën merren. Ato janë pjesëmarrëse edhe në aktivitete të ndryshme bamirësie.
Përveç se janë të kënaqura me punën që bëjnë dhe sjelljet e klientëve, ajo me plot përgjegjësi thonë se askush nuk i ka detyruar të bëjnë diqka që do t’i vënte në pozitë të keqe. E gjitha çfarë kërkohet nga ato, është të përgatisin kafe të mirë. /Telegrafi/