“Bregdeti” – Arrestohen 3 të dyshuar në Merdare, kapen 76.8 kg marihuanë dhe armë zjarri, bastisen shtëpi e sekuestrohen vetura e para

E publikuar: 22/01/2026 22:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tre persona janë arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Bregdeti”, pas një hetimi tre mujor për trafikim të narkotikëve, ku në Pikëkalimin Kufitar Merdare është kapur një sasi e madhe e substancës së dyshuar narkotike.

Burime të sigurta bëjnë me dije se aksioni është zhvilluar nga Njësia Rajonale e DHTN-së në Prishtinë, e përkrahur nga njësitë mbështetëse të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, shkruan Sinjali.

Sipas informacioneve, më 21.01.2026 rreth orës 23:00, është ndaluar i dyshuari:

Halil Stublla, rreth 47-vjeçar.

I njëjti ishte duke drejtuar një kamion me targa vendore, ku gjatë kontrollit janë gjetur të fshehura: 68 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë,

me peshë totale 76 kilogram e 800 gram.

Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Prishtinë dhe, në koordinim me të, është realizuar edhe kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, ku janë sekuestruar:

Një armë zjarri me 5 fishekë të kalibrit 9.9 mm

2 vetura

1 kamion

1 telefon celular

2,950 euro para të gatshme

Aksioni ka vazhduar edhe më 22.01.2026 rreth orës 06:15, ku me asistencë të NJSO-së, janë bastisur edhe dy lokacione në fshatin Godishnjak – Podujevë, në shtëpitë e të dyshuarve:

Rafet Xhema, rreth 65-vjeçar

Albion Xhema, rreth 24-vjeçar

Gjatë kontrollit, janë gjetur dhe sekuestruar:

4 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë 4 kilogram e 454 gram

2 vetura

2 telefona celularë

thasë najloni të zbrazët, ngjitës dhe materiale që dyshohet se janë përdorur për paketim

Po ashtu, është gjetur edhe një armë me gas e modelit Signasauser, për të cilën është iniciuar rast i veçantë nga Stacioni Policor në Podujevë.

Në vendngjarje ka dalë edhe Njësia e Forenzikës Rajonale – Prishtinë, e cila ka kryer fotografimin dhe konfiskimin e provave materiale.

Të dyshuarit janë shoqëruar në zyrat e DHTN-së për procedura të mëtutjeshme dhe, pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Sipas vlerësimeve, vlera e substancës së sekuestruar arrin rreth 160 mijë euro, ndërsa rasti po hetohet edhe më tej.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.