Në Brazil, vendi i dytë në botë më i prekur nga koronavirusi i ri COVID-19, në 24 orët e fundit janë regjistruar 1.238 vdekje të reja.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, me 1.238 vdekjet e reja në 24 orët e fundit numri i viktimave gjithsej në Brazil ka arritur në 47.748 ndërsa me 22.765 raste të reja ka arritur në 978.142 numri i rasteve, shkruan AA.
Qendra tregtare e vendit, rajoni Sao Paulo me një popullsi prej rreth 46 milionë banorë, është rajoni më i prekur në vend nga pandemia me 192.628 raste dhe 11.846 vdekje nga virusi.
Ndërsa në Rio de Janeiro i cili është rajoni më i prekur nga pandemia pas Sao Paulos, virusi ka shkaktuar vdekjen e 8.412 personave dhe ka prekur 87.317 të tjerë.
Brazili, duke kaluar Britaninë e Madhe, u bë vendi i dytë në botë pas SHBA-së ku janë “regjistruar më shumë vdekje dhe raste nga COVID-19”.
Me një popullsi prej më shumë se 211 milionë banorë, Brazili cilësohet si “epiqendra e pandemisë” në Amerikën Latine.

















