Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj tha se kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj nuk meriton një votë nga AAK-ja, pasi që kanë pasur një koalicion së bashku dhe e ka prishur atë.
Deputeti Brahimaj tha se Vetëvendosje “ka marrëveshje me Nismën dhe Listën Serbe”.
“Prej fillimit e kemi thënë se këta kanë një marrëveshje, Limaj ka thënë edhe në media dhe ka thënë se janë takuar disa herë. Nëse ata vijnë në një dakordancë, votën time Limaj nuk do ta ketë, ne kemi dhënë propozimet tona, cilido prej VV-së që nuk është në ndonjë ministri ne do e votonim por Limajn jo. Do të ishte fer, e ndershme, sikur të thoshte që ka bë një marrëveshje me AAK-në, këtu i ndaj rrugët dhe jo me qenë të informuar përmes mediave. Ata kanë një marrëveshje edhe me Listën Serbe, e shihni çdo seancë pas përfundimit Lista Serbe, VV-ja dhe Limaj lëshojnë sallën, ndërsa ish-opozita qëndrojnë të gjithë në sallë”, tha Brahimaj.
Sot pritet të mbahet një takim mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe kryetarit të NISMA-s, Fatmir Limaj për të arritur një marrëveshje për konstituim të Kuvendit të Kosovës.


















