Shkrimtari, publicisti dhe rrokeri i njohur i grupit “Gjurmët” vjen për lexuesin me romanin “Gryka e Kohës”. Një vepër e shkruar e gjitha në dialektin gegë, që mëton të rrëfejë të gjithë historinë e hapësirës shqiptare të shekullit XX. Migjen Kelmendi ngulmon se të shkruarit në gegnisht duhet të normalizohet në Tiranën dhe Prishtinën e 2022. Ai flet për nevojën e rishikimit të Standardit të 1972-shit, që sipas tij qe fatkeqësi për shqiptarët
Ata, Grykën e Rugovës ndryshe e quejshin edhe Gryka e Kohës. Nëpër këte Grykë, thojshin, na hini Koha pabesisht, si nji përmbytje, si Bistrica e tranueme vjeshtave me shumë shi, si zalli i nji klepsidre të cilën dikush e kish pas rrotullue mbrapsht, tue i ba rugovasit me ra bum prej Rugove n’Pejë, si prej shekulli XIX në shekullin XX, pa prit e pa kujtue…
****
“Gryka e Kohës” e ka titulluar autori romanin, që rreket përmes historisë së një familjeje rugovase, të shtjellë të gjithë shekullin e kaluar, në hapësirën shqiptare.
E pat botuar fillimisht më 1994-n, por siç kujton ai, qe botuar në tirazh të vogël. Shumë nga kopjet u dhuruan e mandej, nisi lufta…
Pothuajse tri dekada më vonë, Migjen Kelmendi, i njohur dhe i dashur nga admiruesit si vokalist i grupit rrok “Gjurmët”, e sjell veprën e tij të ribotuar nga shtëpia botuese UET PRESS.
Ndryshe nga atëherë, që e botoi në shqipen standarde, ka vendosur ta sjellë në dialektin gegë.
“Nji gegnishte temën…”, thotë para miqve, që kanë ardhur në përurimin e librit, në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës.
Kelmendi zbulon se ngjarjet në roman nisin me shfaqjen e Kometës Halley më 1908-n dhe përfundojnë me zbarkimin e ekuipazhit të “Apollo 11”, në hënë, më 1969-n.
Një lloj kryepersonazhi, ndonëse autori pohon se të tillë nuk ka, por të tillë e ka konstruktuar, është ai që e quan “gjyshi jem…”
****
Arifi, gjyshi jem, ishte malsor. Nga katundi Drelaj i Rugovës. Njani prej njimbëdhetë katundeve t’Anës së Diellit. Malësorët e Anës së Diellit mujshe me i dallue sepse ishin të zeshkët, rreshkue dielli, përkundër atyne pak tjerëve nga Ana e Hijes që e kishin nji nur nusesh n’ftyrë. E Rugova asht ajo pjesë e vargmaleve që t’Nemuna jau kishin pas lanë emnin, të cilën si n’shajni ta rrok syni tuj u mahnit me Grykën e famshme t’Rugovës, me këte hijeshi t’Perendisë, dhe me kreshtat në majat e të cilave edhe në pikë të verës ka borë. Andej nga Ana e Hijes.
****
Si të gjithë shqiptarët, gjyshi i këtij romani, zbulon më tej Kelmendi, lufton për mbijetesë, lufton për familjen. Kalon nëpër periudha të vështira si Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore, për të përfunduar në regjimin komunist. Ai shpallet kulak dhe ia marrin edhe atë pak pasuri që ka. Pasuria, ironizon autori, nuk është ajo e oligarkëve të sotëm. Pasuria e personazhit qe një bakallhane, dyqan i vogël.
“Tani që po e shoh me distancë dekadash, ambicie ka qenë me e rrokë situatën shqiptare, mbrenda shekullit XX. Nuk asht’ vetëm për Kosovën , asht’ edhe Shqipnija. I del Shqipnija gjyshit tem para, edhe protagonistave të tjerë”, rrëfen autori
Ai shpjegon se metoda e ndërtimit të romanit është ajo që njihet në letërsi si Faction-Fiction, një përzierje e fakteve reale e historike me trillin letrar.
“Por, une luej me to. Bëj hajgare. Ndërtoj situata groteske, edhe dramatike, me to.
Ka shumëçka faktike edhe autobiografike, shumë, r në parim duhet me e marrë si një bukurshkrim apo si i thonë françezët belle lettres”.
Kelmendi e krahason me një lloj albumi të moçëm me fotografi, të cilit shkrimtari i hyn me gërshërë, pret, ngjit, bën montazhe, ngjyros. “Luej me faktet historike e bëj nji tregim, që duhet pak a shumë me krijue relacion me lexuesin”, thotë ndër të tjera ai.
Kryeredaktorja e UET PRESS, Suela Mino, e cilëson romanin si sfidë, një tekst që nuk ka fort të ngjashëm, “…porse elementi parë që të bën të ndalesh është se rrëfimi vjen në një përmasë të tillë lirie, sa të përfshin pa të të pasur ndërmend autori, ndërkohë që ndërton narrativën e tij”.
Përmes gjuhës, rrëfimit, autori, shton zonja Mino, të fton t’i bashkohesh apo t’i jesh dëshmitar, por edhe të qasesh në një proces njohjeje – përmes syve të dashurisë-, një territori, një komuniteti, një gjuhe, një identiteti, që shpërfaqet çlirët përmes rrëfimit të Migjen Kelmendit.
Autori zbuloi se kapitulli i tretë i romanit “Gryka e Kohës” është një pjesë e re, që varianti i botuar më 1994-n, nuk e ka.
Kelmendi tha se ishte dëshirë e tij që ky version i ri të vinte në gegnishte, por shtoi se nuk deshi të ndalej gjatë te gjuha, ndërsa ka qenë dhe vazhdon të jetë një zë i fuqishëm publik i shkrimit, botimit dhe normalizimit të dialektit gegë në hapësirën shqiptare. Për Kelmendin, Kongresi i vitit 1972, që standardizoi gjuhën shqipe ishte një fatkeqësi për shqiptarët.
“Botimi në gegnisht duhet me qenë diçka shumë e zakonshme, edhe në Tiran edhe në Prishtinë”, shtoi autori.
Ai kujtoi të atin, gazetarin dhe publicistin Ramiz Kelmendi dhe një gjeneratë të tërë të shqiptarëve të Kosovës, që besonin tek bashkimi përmes gjuhës. “Ky ka qenë keqkuptimi fatal i asaj gjenerate”, tha Kelmendi, i mendimit se Kongresi i ’72 i ndau shqipfolësit në kategori të parë e të dytë. Ai tha se shqiptarët e Kosovës u panë si kategori e dytë, për mënyrën sesi e flisnin shqipen standarde. I rritur përmes rrëfimeve, që ai i cilëson sot të zbukuruara dhe stilizuara, nga i ati dhe asaj gjenerate të shkuar, Kelmendi tha se Shqipërinë e njohu mirë pasi e shkeli nga veriu në jug, më 1992-shin. Nga ky udhëtim lindi një seri dokumentarësh, disa artikuj dhe libri “Carere Patria”. “Nji lloj reportazhi i jem, ku une bëjsha nji lloj ekzorcizmi me Shqipninë, që më kishte lidhun Ramizi, baba jem. Nuk kisha qare pa e hjekë, për me muejt’ me e pa normalisht, objektivisht krejt situatën tonë, në kontekstin shqiptar në at’kohë”.
Rishikimi i Standardit të diktuar më 1972-shin, iu bë ide edhe më e fortë pas udhëtimeve në Shqipëri. Ai kujtoi sesi kishte hasur probleme në Radio Televizionin Shqiptar, kur i vendosi dokumentarit që prodhoi nga këto udhëtime titullin “Të shituar utopie”.
“Ka qenë problem i madh me e futë fjalën “shitim” në RTSH. Unë insistova “ose e fusim, ose e heq dokumentarin”. Ma jepshin si alternativë, “magjepsur, fandaksur”, por s’ma shterrte kuptimin asgjë më shumë se fjala “shitim””.
Për Kelmendin ishte shitim i njerëzve që menduan të ndryshonin botën, duke përfunduar në fund si vrasës. Ai thotë se përmes këtyre udhëtimeve u familjarizua me tragjedinë që kishte ndodhur brenda Shqipërisë e ‘nuk i ngjajke atyne tregimeve t’ zbukurueme edhe të stilizueme të Ramizit dhe asaj gjenerate dhe u ndieva borxh me e lanë diçka me shkrim…”
Por edhe ky libër, i botuar më 1997 nga botimet “Çabej”, mbeti pak i njohur për shkak se u botua në një vit të vështirë për shqiptarët.
Me botimin e “Gryka e Kohës-Nji histori mbulue me shall”, Kelmendi bëhet autor i UET PRES, ku opusi i tij letrar- me disa vepra të tjera publicistike – do të vijë i botuar nën këtë logo, ashtu si edhe veprat e ardhshme të tij.