Botërori U-20, kualifikohen Uruguai, Serbia e Mali, eliminohet Meksika

E publikuar: 06/06/2015 21:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Uruguai, Serbia dhe Mali u kualifikuan në ruandin e 1/8-ave të Botërorit të 20-vjecarëve që po zhvillohet aktualisht në Zelandën e Re, ndërkohë që Meksika mund të konsiderohet në kuptimin e plotë të fjalës eliminimi surprizë i fazës së grupeve.Uruguait dhe Malit u mjaftonte një barazim për të avancuar më tej dhe ashtu ndodhi sepse në sfidën e vlefshme për Grupin D të zhvilluar në Waikato Stadium në Hamilton kombëtarja amerikano-jugore dhe ajo afrikane barazuan 1-1 mes tyre duke u kualifikuar në ruandin tjetër, Uruguai si e dyta e Grupit ndërsa Mali si një nga 4 ekipet më të mira të renditura në vendin e tretë. Ishte përfaqësuesja Celeste ajo që kaloi e para në avantazh me Acostën por Mali barazoi shifrat 1 minutë përpara fundit të pjesës së parë me Traore.

Ndërkohë në sfidën tjetër të këtij Grupi Serbia mposhti 2-0 Meksikën duke i eliminuar këta të fundit. Dy gola të realizuar nga Maksimovic dhe Zivkovic në pjesën e parë i dhanë fitoren kombëtares ballkanase me Serbinë që e mbylli Grupin D në vendin e parë.

Nuk bën skonto Portugalia që fitoi edhe takimin e saj të tretë me rezultatin 3-1 ndaj Kolumbisë duke e mbyllur Grupin C në vendin e parë në kuotën e 9 pikëve. Një dygolësh i Silvës dhe një finalizim i Santos i mjaftuan luzitanëve për të arritur një tjetër sukses, ndërkohë që kjo humbje nuk i prishi shumë punë as Kolumbisë që gjithashtu avancoi më tej si e dyta e grupit.

Në ndeshjen tjetër Senegali kaloi 2-1 Qatarin duke mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm si nga 4 skuadrat më të mira të renditura në vendin e tretë. Golat për afrikanët u shënuan nga Sylla dhe Kone në 15 minutat e fundit të takimit, me Senegalin që përmbysi avantazhin fillestar të Qatarit me Akram nga pika e bardhë e penalltisë./supersport.al/