Anglia është gati të organizojë Kampionatin Botëror të vitit 2022, nëse Katarit i hiqet e drejta për të pritur fazën finale të këtij aktiviteti. Lajmi u bë i ditur nga vetë sekretari britanik i kulturës John W hittingdale, i cili konfirmoi se nëse vërtetohen që të gjitha akuzat për zyrtarët e lartë të FIFA-s për ryshfet dhe korrupsion atëherë “atdheu i futbollit” është gati për të pritur për herë të dytë në histori finalet e Kupës së Botës. Whittingdale deklaroi se vendi i tij i ka të gjitha kushtet e nevojshme për të mirëpritur një event të tillë, duke shtuar madje se Anglia i përmbushte në mënyrën më të mirë edhe kërkesat për kampionatin e vitit 2018, sidoqoftë 55-vjeçari i cili u emërua nga David Cameron vetëm një muaj më parë si Sekretar i Shtetit për Kulturën, Mediat dhe Sportin shpjegoi se kjo gjë do të bëhet e mundur vetëm nëse FIFA vendos për një zgjidhje të tillë.
Në fakt Whittingdale e bëri një deklaratë të tillë vetëm kur u ngacmua nga njëri prej gazetarëve në konferencën për shtyp, në lidhje me akuzat për korrupsion që qarkullojnë prej kohësh për zyrtarët e lartë të FIFA-s. Sekretari britanik mbështeti gjithashtu edhe shpjegimin e shefit të FA Greg Dyke, i cili mendon se me organizimin e Kupës së ardhshme të Botës në Rusi në vitin 2018 do të jetë pothuajse e pamundur që një tjetër vend nga kontinenti i vjetër të presë kampionatin pasardhës.
Ai insistoi duke shtuar se Anglia ashtu si edhe në vitin 1966 i ka të gjitha mundësitë për të organizuar një Kampionat Botëror të shkëlqyer sidoqoftë gjatë pyetjeve në Dhomën e Përfaqësuesve Whittingdale ritheksoi se kjo gjë do të bëhet e mundur vetëm nëse kërkohet nga vetë FIFA pasi për momentin vazhdon të mbetet në fuqi vendimi që autorizon Katarin për të pritur fazën finale të Kupës së Botës, për vitin 2022./ss/