Bota në alarm: Lideri suprem i ISIS-it është ende gjallë dhe ka një mesazh

E publikuar: 29/09/2017 09:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shteti Islamik ka tronditur mbarë botën duke transmetuar një incizim audio te liderit suprem të grupit ekstremist, Abu Bakr al-Baghdadi.

Data e incizimit 46 minutësh, që u publikua dje nëpërmjet agjencisë së lajmeve të ndërlidhur me ISIS-in,’ Al-Furqan’, nuk është e qartë.

Në këtë incizim, lideri i ISIS-it, duket se u referohet kërcënimeve aktuale të Koresë së Veriore kundër Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ai, po ashtu, flet për luftërat për ISIS-it në qytetin Mosul, të cilin e humbi në muajin korrik.

Kjo është hera e parë qe Abu Bakr al-Baghdadi shfaqet pas shumë thashethemeve rreth vdekjes së tij.

“Amerikanët, rusët dhe evropianët janë të tmerruar nga sulmet e muxhahadinëve”, thotë al Baghdadi në mesazhin e audio, duke shtuar se tani “koreanët e veriut kanë filluar të kërcënojnë Amerikën dhe Japoninë me fuqinë e tyre bërthamore”, një referencë që me sa duket kishte për qëllim të tregonte se regjistrimi është i këtyre ditëve.

Lajme të ndryshme për vdekjen e pretenduar të Bagdadit, për kokën e të cilit SHBA ka vendosur një shpërblim prej 25 milionë dollarësh, janë përhapur në vitet e fundit, por asnjëherë nuk janë konfirmuar. Mesazhi i fundit audio nga kreu i ISIS ishte transmetuar më 2 nëntor të vitit të kaluar.

Qershorin e kaluar, Rusia kishte thënë se Bagdadi kishte ngelur “ndoshta” i vrarë në një sulm të aviacionit të Moskës në Raqqa, që konsiderohej ‘kryeqyteti’ i shtetit të vetëshpallur islamik në Siri.

Por në fillim të shtatorit, gjenerali amerikan Stephen Tounsend, komandanti i Koalicionit Ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA, kishte deklaruar se ‘kalifi’ ndoshta ishte ende gjallë dhe sipas informacioneve të zbulimit, i fshehur në një zonë midis Irakut dhe Sirisë.