Nënshkrim bilateral të Marrëveshjes Bazike mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë; tërheqje nga letra e Qeverisë së Serbisë dërguar më 13 dhjetor në EEAS se ‘tërhiqen nga marrëveshja’; dorëzim i Millan Radojçiqit dhe paraushtarakëve të tij te autoritetet kosovare për t’u përballur me drejtësi.
Fjalë-për-fjale këto ishin tri-kushte të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, siç i citoi me gojën e vet Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, teksa njoftoi se dështoi të ketë takim mes Albin Kurtit, Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Kurti s’deshi, Vuçiqi po”, tha Josep Borrell në një konferencë për media.
Propozimi i BE-së u refuzua, tregoi Borrell, që palët të zbatojnë paralelishr dhe në faza Marrëveshjen e Bruksel/Ohrit për normalizim të marrëdhënieve.
“Vuçiqi e Kurti paraqitën pozicionet e tyre për procesin…Diskutimet ishin, siç pritej, të vështira, dhe në fund, nuk patëm takim trepalësh…Kosova nuk ishte e gatshme dhe s’donte takim trilateral…Vuçiqi deshti, por fatkeqësisht s’mundëm të bënim përparim”, th ai.
“Kurti paraqiti tri kushte për zbatim të marrëveshjes, dhe po e citoj vetë atë që të jemi saktë: ‘Së pari, formalizimi i marrëveshjes bazike përmes nënshkrimit nga qeveritë përkatëse, kjo kërkesë e vjetër. Tërheqjen e letrës së Brnabiqit 13 në dhjetor të vitit të kaluar, po flasim pra për gjëra që kanë ndodhur para gjashtë muajsh, dhe tre: që të dorëzohet Radojçiqin dhe ushtarakët paraushtarakë te autoritetet e Kosovës”, shtoi Josep Borrell.
Kryediplomati evropian tha se për çështjen e nënshkrimit bilateral të marrëveshjes së Bruksel/Ohrit, Vuçiqi ka refuzuar “për shqetësime kushtetuese” referuar Kushtetutës së Serbisë.
“Presidenti Vuçiq la të kuptohet se është i gatshëm të eksplorojë mundësi sa i përket letrës së ish-kryeministres dhe formalizimit të Marrëveshjes në linjë me praktikat e shkuara të dialogut, në mënyrë që të zhbllokohet zbatimi i marrëveshjes”.
“Para takimit, ne kemi paraqitur propozimin e ri për zbatimin që do të udhëhiqte zbatimin në fazë…Por fatkeqësisht, kushtëzimet e zbatimit nuk e lejuan që diskutimi të vazhdojë në zbatim konkret nga palët…Pra pozicionet e palëve mbeten tepër larg, dhe rrjedhimsht se si normalizimi të vazhdojë…Siç thash më parë ne nuk mund të duam normalizimin më shumë se vetë ata për veten”, shtoi Josep Borrell.
Duke folur për draft-Statutin e BE-së për Asociacionin, Borrell i qëndroi prapa duke thënë se është ofruar “si zgjidhja më moderne për çështjen e pakicave kombëtare”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ende nuk është deklaruar për takimin, ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është adresuar për media duke thënë se “Kurti nuk deshti të më takonte”.
“Nuk ka pasur takim me Kurtin sepse Kurti nuk ka dashur apo nuk ka guxuar – pyeteni atë – të më takoj dhe të bisedojmë. Besoj se do të mësoni më shumë për këtë nga evropianët”, tha Vuçiq gjatë një deklarimi për mediat.