Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha të premten se mezi pret të punojë me Qeverinë e re të Serbisë, por shtoi se veprimi në përputhje me vlerat dhe politikat e bllokut janë thelbësore për rrugën drejt anëtarësimit në bllok.
“Urime kryeministrit të ri të Serbisë, Millosh Vuçeviq. Mezi pres të punoj me ju, ministrin e Jashtëm Marko Gjuriq dhe Qeverinë serbe, për ta çuar Serbinë përpara në rrugën e saj drejt BE-së”, shkroi Borrell në rrjetin social X të premten.
Më 2 maj, deputetët e Kuvendit të Serbisë zgjodhën Qeverinë e re, të kryesuar nga Millosh Vuçeviq, i cili paralajmëroi ditë më parë se Serbia nuk do t’i ndryshojë qëndrimet e mëparshme në lidhje me Rusinë dhe Kosovën.
Borrell theksoi se “rreshtimi përkrah dhe veprimi në përputhje me vlerat e BE-së dhe politikat e jashtme dhe të sigurisë, janë shenja thelbësore të orientimit strategjik”.
Së fundi, BE-ja edhe zyrtarisht e ka kushtëzuar integrimin e Serbisë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Vuçeviq tha një ditë para se të votohej Qeveria e tij se pritshmëritë e BE-së lidhen me atë që Serbia ta “poshtërojë” veten duke njohur pavarësinë e Kosovës dhe t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Por, ai theksoi që Serbia nuk do t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë.
“Nuk ka dyshim se presionet do të vazhdojnë, ndoshta do të intensifikohen, por jemi të vendosur që të qëndrojmë në të njëjtat pozicione”, tha Vuçeviq.
“Serbia nuk mund dhe nuk do të heqë dorë nga miqësia me Rusinë, popullin e së cilës ne e konsiderojmë vëllazëror, ashtu siç është rasti me ukrainasit. Ne e kemi dënuar qartë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, por kemi deklaruar se nuk do t’i bashkohemi politikës së sanksioneve”, tha ai.
Vuçeviq, do të ketë një kabinet që do të përbëhet nga 25 ministri dhe pesë ministra pa portofol.
Pjesë e tij si zëvendëskryeministër do të jetë edhe ish-kreu i shërbimit inteligjent të Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës prej korrikut 2023 – mes tjerash, për shkak të lidhjeve me Rusinë.
Nga “lista e zezë” e SHBA-së, për shkak të lidhjeve me Rusinë, do të jetë edhe Nenad Popoviq, si ministër pa portofol.
Ditë më parë, Departamenti amerikan i Shtetit tha se është i zhgënjyer me propozimet për Qeverinë e re të Serbisë./REL