Borrell ka tri kërkesa “të qarta”: Zgjedhje të reja, të sigurohet pjesëmarrja e serbëve dhe themelimi i Asociacionit

E publikuar: 01/06/2023 22:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Osmani-Vucic-Macron-Olaf Scholz-Borell

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell ka bërë të ditura tri kërkesat e BE-së pas takimit të sotëm të përbashkët të presidentes Vjosa Osmani dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili u mbajt në Moldavi, me pjesëmarrjen edhe të presidentit të Francës, Emanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

“Kemi 3 kërkesa të qarta: – Zgjedhjet e reja lokale menjëherë; – Sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës’ – Fillimin e punës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dështimi për ta bërë këtë, do të ketë pasoja të rënda në marrëdhëniet tona”, ka shkruar Borrell në “Twitter”.

Presidentja Vjosa Osmani pas këtij takimi në një intervistë për RTK-në ka deklaruar se rruga ligjore për të ecur përpara ekziston.

“Në qoftë se dëshirojnë ekziston rruga ligjore për t’i organizuar ato shumë shpejt. I procedojnë peticionet e tyre dhe ne respektojmë ligjin tonë. Asgjë më shumë ne nuk po kërkojmë përveçse ligjshmëri dhe kushtetutshmëri në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Por, kur shkaktohen zgjedhje të reja natyrisht është e rëndësishme që ata të participojnë, pra të marrin pjesë edhe si kandidatë, por në të njëjtën kohë edhe të marrin pjesë në zgjedhje dhe kështu sigurohet edhe legjitimiteti më i madh i të zgjedhurve”, ka thënë presidentja Osmani.