Shefi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, i ka dënuar “fuqishëm” sulmet ajrore izraelite të së dielës në qytetin Rafah në Rripin e Gazës, ku u vranë së paku 45 palestinezë, përfshirë fëmijë.
Duke folur pas një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së më 27 maj, Borrell tha se “kjo dëshmon se nuk ka vend të sigurt në Gazë”.
“Ju mund ta paramendoni sa të tmerruar jemi të gjithë ne nga këto sulme”, tha Borrell.
Në mesin e të vrarëve kishte edhe të zhvendosur që po jetonin në tenda, të cilat u përfshinë nga zjarri.
Izraeli ka thënë se po i heton vdekjet e civilëve, dhe se me sulmet e së dielës e goditi një pikë të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – dhe se vrau dy pjesëtarë të lartë të grupit radikal.
Ministria e Shëndetësisë e udhëhequr nga Hamasi në Gazë tha se rreth gjysma e të vdekurve janë gra, fëmijë dhe të moshuar.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se sulmet ishin “gabim tragjik”. Kritikat janë duke u rritur ndaj Izraelit për luftën e tij kundër Hamasit, e cila u nxit nga një sulm i Hamasit në Izrael më 7 tetor, ku u vranë më shumë se 1.200 njerëz, kryesisht civilë.
Ministrat e Jashtëm të BE-së u takuan të hënën në Bruksel, dhe u pajtuan në parim për ta rihapur misionin kufitar të bllokut në Rafah i cili nuk ka funksionuar prej vitit 2007, kur Hamasi e mori nën kontroll territorin.
Kur e nisi punën për herë të parë ky mision, përbëhej nga një personel prej 70 vetash që i vëzhgonin kalimet kufitare në kufirin mes Gazës dhe Egjiptit. Borrell theksoi se misioni mund “ta luajë një rol të dobishëm në futjen dhe largimin e njerëzve brenda dhe jashtë Gazës”.
Por ka pak mundësi që ky mision të jetë plotësisht funksional, para se të përfundojnë luftimet në Gazë dhe para se Egjipti, Izraeli dhe autoritetet palestineze ta japin pëlqimin e tyre.
Rafah është pikëkalimi kryesor mes Gazës dhe Egjiptit për futjen e ndihmave, por ka qenë i mbyllur prej se forcat izraelite e morën kontrollin mbi të në fillim të këtij muaji.
Ministrat e Jashtëm të BE-së u pajtuam më 27 maj për t’i nisur menjëherë përgatitjet për rifillimin e misionit kufitar.
Ata u pajtuan gjerësisht edhe për të punuar për mbajtjen e një konference ndërkombëtare, të sponsorizuar nga BE-ja, për mënyrën se si të zbatohet zgjidhja me dy shtete.
Ministrat gjetën pajtim edhe për t’i bërë thirrje të ashtuquajturit këshilli i shoqatës BE-Izrael, për të biseduar për situatën në Gazë dhe për nevojën për respektimin e të drejtave të njeriut.
Takimi në Bruksel u mbajt në një kohë zhvillimesh ndërkombëtare që ndodhën në ditët e fundit në lidhje me konfliktin.
Javën e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e urdhëroi Izraelin për t’i dhënë fund ofensivës ushtarake në Rafah. Ndërkaq, kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), Karim Khan, tha se ka bërë kërkesë për lëshimin e fletarrestimeve kundër kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministrit izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, si dhe kundër tre liderëve të Hamasit.
Ndërkohë, shtetet anëtare të BE-së, Irlanda dhe Spanja, njoftuan javën e kaluar se do ta njohin zyrtarisht një shtet palestinez nga 28 maji.
Borrell theksoi se BE-ja dëshiron që Izraeli ta zbatojë vendimin e GJND-së, sepse “të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara janë të detyruara t’i zbatojnë vendimet e saj”.
Ai u i bëri thirrje Jerusalemit t’i zhbllokojë gjithashtu fondet për autoritetet palestineze dhe ta lejojë UNWRA-n të veprojë në territoret palestineze. /REL