Një sulm bërthamor kundër Ukrainës do të çonte në “asgjësimin e forcave ruse”, ka paralajmëruar shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Duke folur sot nga Bruges në Belgjikë, Borrell tha: “Çdo sulm bërthamor kundër Ukrainës do të krijojë një përgjigje, jo një përgjigje bërthamore, por një përgjigje kaq të fuqishme nga ana ushtarake, saqë ushtria ruse do të asgjësohet”.
NATO po i vëzhgon lëvizjet e Rusisë në luftën me Ukrainën, por deri më tani nuk ka parë asnjë ndryshim në qëndrimin e saj rreth kësaj çështjeje. Më herët gjatë ditës së sotme, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se përdorimi i armëve bërthamore kundër Ukrainës do të sillte “pasoja të rënda”.
“Rrethanat në të cilat NATO mund të duhet të përdorë armë bërthamore janë jashtëzakonisht të largëta,” tha ai.
“Retorika bërthamore e Rusisë është e rrezikshme, e pamatur dhe ata e dinë se nëse përdorin armë bërthamore kundër Ukrainës, kjo do të ketë pasoja të rënda. Dhe ata gjithashtu e dinë se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të luftohet kurrë.” /abcnews.al