Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, thotë se çështja e targave të makinave në Kosovë duhet të zgjidhet duke kuptuar pozicionet e të dyja vendeve: Kosovës dhe Serbisë.
“Jam duke nxitur diçka që mund ta pranojnë të dyja palët”, thotë Borrell për Radion Evropa e Lirë.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët që vozisin makina me targa që i lëshon Serbia, t’i riregjistrojnë ato në RKS – Republika e Kosovës.
Vendimi, i paraparë të niste së zbatuari më 1 gusht, ka shkaktuar tensione në veri të Kosovës dhe është shtyrë për 1 shtator.
Çështja tjetër që ka shkaktuar tensione – ajo e dokumenteve të udhëtimit – tashmë është zgjidhur.
Në intervistën për REL-in, Borrell flet edhe për mundësinë e pezullimit të lehtësimit të vizave për rusët, për sanksionet e reja të mundshme kundër Rusisë, për një mision këshillues ushtarak të BE-së në Ukrainë e çështje të tjera.
Kosovë-Serbi: Targa neutrale?
Radio Evropa e Lirë: Të ndalemi te Kosova dhe Serbia. Në fundjavë, ato kanë arritur një marrëveshje të rëndësishme [për dokumentet e udhëtimit], por është edhe një çështje tjetër që mbetet për t’u zgjidhur: targat e makinave. Ka pasur propozime që targat të bëhen neutrale ndaj statusit [të Kosovës]. Si do ta bindnit kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ta pranojë këtë, pasi ky propozim shihet si minim i sovranitetit të Kosovës?
Josep Borrell: Ju e dini, në rolin tim, unë duhet të përpiqem të kuptoj çdo pozicion. Pozicionet e serbëve dhe të kosovarëve. Çfarë qëndron pas kësaj çështjeje të identitetit, të qenët në një shtet, të qenët komb, të mos njihet nga shumë vende të botës, edhe brenda Bashkimit Evropian… E kemi zgjidhur problemin e kartave të identitetit dhe le të themi pasaportës, lëvizjes së lirë të njerëzve. Çështja e targave është më e vështirë për t’u zgjidhur, sepse nuk është vetëm dikush që lëviz, është një pronë që mund të shitet dhe të blihet. Por, unë jam optimist.
Kemi një periudhë dymujore [për ndërrimin e targave]. Nuk është diçka që do të ndodhë nesër. Kurti ka pranuar procesin rreth dymujor, për të shmangur çdo situatë që mund të krijojë më shumë rrezik.
Radio Evropa e Lirë: Por, rruga kryesore për ju janë targat neutrale ndaj statusit. Po vazhdoni të ndiqni këtë?
Josep Borrell: Jam duke nxitur diçka që mund ta pranojnë të dyja palët.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se mund ta pranojnë këtë [propozimin për targa neutrale]?
Josep Borrell: Të shohim.
Nafta iraniane në vend të asaj ruse
Radio Evropa e Lirë: Dhe është Irani… ka lëvizje drejt një lloj marrëveshjeje [për çështjen bërthamore të Iranit]. Në një skenar hipotetik, me marrëveshje, a mendoni se mund ta sjellim energjinë iraniane në BE këtë dimër?
Josep Borrell: Do të ishte shumë mirë për ne. Mendoj se kjo marrëveshje do të sillte në treg 1 milion fuçi në ditë, ndoshta më shumë se kaq. Iranianët po e shesin naftën e tyre në Kinë dhe do të ishin shumë të lumtur të dilnin në tregjet ndërkombëtare, me një çmim më të mirë. Pra, për ne, në kohën kur duam ta heqim qafe naftën ruse, është mirë të kemi burime të tjera nafte që mund ta balancojnë tregun.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se kjo mund të ndodhë këtë dimër?
Josep Borrell: Nuk është aq e lehtë. Por, së pari, më duhet t’i bëj hapat e fundit në marrëveshje. Nuk jemi ende atje.