Bordin e AKA-së e shkarkoi politika për përfitime të paligjshme nga procesi i akreditimit

E publikuar: 08/03/2018 10:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndonëse ndër veprimet e para që i ndërmori kryeministri Ramush Haradinaj ishte edhe shkarkimi i bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim dhe ushtruesin e detyrës së këtij institucioni.

Sipas kryeministrit, këtë veprim e bëri për shkak të gjendjes së keqe në arsimin e lartë dhe si një hap drejt përmirësimit të cilësisë.

Megjithatë, kritika të ashpra u dhanë në adresë të tij, duke thënë se emrat e rinj të bordit janë njerëz që vijnë nga politika apo grupe të ndryshme të interesit.

Më vonë u tha se kryeministri e ndërmori këtë veprim mbi bazën e disa “informatave sekrete”.

Por Rinor Qehaja nga organizata joqeveritare EdGuard, e cila merret me çështjen e arsimit, është i bindur se shkarkimi i bordit të AKA-së është i ndikuar nga grupet e interesit.

“Shkarkimi i anëtarëve të bordit të AKA-së është politik dhe i ndikuar nga grupe të caktuara të interesit, nuk mund të argumentohet e kundërta, kur po të njëjtit janë zëvendësuar me individë po ashtu politik, jo njohës të fushës, e aq me pak njohës të sigurimi të cilësisë në arsimin e lartë”, ka thënë Qehaja për Insajderin.

Ai ka thënë se është tendencë e kamotshme e partive politike që ta kontrollojnë këtë agjenci për përfitime të paligjshme nga procesi i akreditimit.

“Kjo ndërhyrje, ka për burim një tendencë të kamotshme të politikës dhe partive në pushtet, për të kontrolluar këtë agjenci, dhe për rrjedhojë të gjeneruarit të përfitimeve jo të ligjshme nga procesi i akreditimit”, ka shtuar Qehaja.

Për më tepër, shkarkimi i bordit të AKA-së dhe ushtruesit të detyrës së këtij institucioni pasoi me largimin e Kosovës nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).

Kjo rezultoi edhe me një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, pikërisht për ta shqyrtuar këtë rast.

Ndër tjera aty pati edhe cilësime të rënda ndaj ish-ushtruesit të detyrës së drejtorit të AKA-së, Blerim Rexha.

Kryeministri Haradinaj nuk hezitoi ta quajë atë “hajn ordiner”. Megjithatë, më vonë gjatë ditës është përgjigjur edhe Rexha duke i mohuar akuzat ndaj tij dhe duke i thënë kryeministrit se nuk mund ta fyejë atë./Insajderi.com