Nga Lezha, aty ku promovoi librin e tij më të fundit “Kandidati”, deputeti socialist Ben Blushi tha se shumë njerëz që po e dëmtojnë Shqipërinë, nderohen dhe ngrihen në piedestal.
“Ky libër është për Shqipërinë e ditëve tona. Libri “Kandidati” përshkruan një situatë që e jetojmë përditë. Në 50 vjet u mësuam që mjafton të ishe komunist apo të ishe me regjimin ishe shumë i mirë pavarësisht çfarë kishe bërë, çfarë bëje, sa mediokër mund të ishe, pavarësisht çfarë vlerash morale mund të kishe, vlerësoheshe. U kthyem mbrapsht.
Mjafton të kesh qenë antikomunist, apo në dukje dhe ishe hero. Në një qytet të Shqipërisë që e përshkruan në libër ky njeri vlerësohet si nder i qytetit, çka është e pamundur. Kjo tregon sesa poshtë ka rënë morali jonë këto 25 vjet, çka nuk ndodh askund.
Mund të kesh gjeni, nobelist, por nëse vendos të bashkëpunosh me pushtuesin je kolaboracionist dhe Evropa këtë ka ndarë. Në Shqipëri sa më shumë i dëmton interesat kombëtare, aq më lart ngrihesh në piedestal. Kjo është e vërtetë në sensin historik por dhe në ditët tona.
Shumë njerëz që po e dëmtojnë Shqipërinë nderohen, vlerësohen, quhen rilindas, patriotë, njerëz të vlefshëm. Shpresoj që letërsia -pasi politika e ka të pamundur – e cila ka lindur të purifikojë mendimin njerëzor ti japin pak mundësi brezave të rinj të kuptojnë çfarë vlen e çfarë jo, si dhe t’i ndihmojnë të kenë një set parimesh të cilat nuk ndryshojnë pavarësisht nga regjimet që kemi. Parimet deformohen nga regjimet, por parimet në fund të fundit mbeten dhe historia njerëzore ka treguar se parimet mbeten ndërsa qeveritë ndryshojnë”, tha Blushi.