Ben Blushi vendosi të ndahet edhe zyrtarisht nga Partia Socialiste, pjesë e së cilës ishte prej gati 20 vitesh. Dhe këtë e bëri me një letër publike, nëpërmjet së cilës zbulon pikën që derdhi gotën: Shkelja e premtimit elektoral dhe lejimi i importit të mbetjeve nga kryeministri Rama.
Në letrën e Blushit ato quhen plehra, Partia Socialiste është zëvendësuar me emrin “Rilindja” dhe e gjithë politika, ku Blushi bën pjesë prej 20 vitesh, përkufizohet si një kazan.
“Në kazanin e mbetjeve parlamentare, në të vërtetë fshihet kalbja e demokracisë sonë të ndotur”, shkruan Blushi.
Blushi ka arritur në këtë përfundim, duke analizuar qëndrimin e 3 partive kryesore për ligjin e mbetjeve gjatë 6 viteve të fundit, i cili ka ndryshuar pro lejimit të importit sa herë kanë qenë në pushtet.
“Nisur nga ky shembull, atë që ne e quajmë Parlament, çdo popull i botës do ta quante çmendinë të pakthyeshme. Ose të pariciklueshme për asnjë arsye”, shkruan më tej Blushi.
Por ajo çfarë nuk thuhet në letrën e Ben Blushit është se historia për lejimin e importit të mbetjeve në Shqipëri nuk është e këtyre 6 viteve të fundit.
Ajo nis në vitin 2004, kur Ben Blushi bashkë me dy ministra të tjerë të qeverisë “Nano” firmosën një memorandum, që i hapte rrugën qeverisë të negocionte një marrëveshje koncesionare me një kompani të Francesco Becchettit, për të importuar mbetje nga Italia dhe për t’i djegur në Shqipëri nëpërmjet një impianti i parashikuar për t’u ngritur në Kashar.
Atëherë, Ben Blushi ishte në studiot televizive jo për të kundërshtuar importin, por për të shpjeguar negociatat për termat e koncesionit.
“Do të shihen edhe termat e marrëveshjes apo të importit, në rast se lejohet, sepse tani nuk lejohet, të cilat ndoshta rrezikojnë shëndetin e publikut”, thoshte dikur Blushi për televizionin Klan.
Marrëveshja koncesionare e firmosur edhe nga ministri i atëhershëm Ben Blushi nuk u finalizua dhe u kundërshtua me protesta nga shoqëria civile dhe opozitës së atëhershme.
Por tani, pas 12 vitesh, në letrën publike të largimit nga Partia Socialiste, Ben Blushi ka zgjedhur të sulmojë më shumë Partinë Demorkatike, së cilës jo vetëm nuk i njeh si akt ndjesën dhe pendesën, por e akuzon se po bën të njëjtën lojë me Edi Ramën dhe se, duke qenë partia e pakicës, po përpiqet të dështojë referendumin.
“Kjo është mënyra më e poshtër për të sabotuar një kauzë dhe natyrisht Partia Demokratike nuk ka nevojë të mendohet për të nxjerrë qeset e përdorura të hileve nga kazani i vet i ndryshkur”, shkruan Blushi në letër.
Ben Blushi e quan të gjithën, kazani i mbetjeve të 3 partive parlamentare.
“Prej tij nuk do të dalë kurrë më, asnjë gjë e pastër. Ai mund të riciklohet, por asnjëherë nuk do të pastrohet. Prandaj kam vendosur të dal përfundimisht që aty, për të kuptuar atë që shumë njerëz e dinin para meje: në Shqipëri duhen pastruar partitë që të pastrohen kazanët”, shkruhet gjithashtu në letër.
Në letrën e hapur, Blushi ka lënë të hapur pyetjet, nëse do ta dorëzojë edhe mandatin e deputetit pas qëndrimit 20-vjeçar në politikë, a do të krijojë një parti të re, apo do të tërhiqet nga jeta politike.
/ Top Channel