Stabiliteti me energji elektrike pritet të kthehet nesër

E publikuar: 05/01/2016 15:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Stabiliteti i furnizimit me energji elektrike pritet të kthehet nesër, kjo pasi njësia B1, e cila ka dalë jashtë funksionit mbrëmë, pritet të rikthehet në punë që nga dita e nesërme.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se sot në mëngjes, më 5 janar 2016, me qëllim të ndërmarrjes së disa intervenimeve të domosdoshme teknike, KEK ishte i detyruar të ndal njësinë B1 të Termocentralit “Kosova B”.

Si pasojë e kësaj prishjeje në Termocentralin “Kosova B”, shumë qytetarë kanë mbetur pa energji elektrike që nga orët e para të ditës së sotme. Madje në komunën e Podujevës është raportuar se ndërprerjet e energjisë elektrike kanë shkuar deri në 5 orë gjatë natës.

Gjendje hiç më e mirë nuk mbretëron as në komunën e Fushë Kosovës, ku raportohet se gjatë natës ka pasur ndërprerje të gjatë të energjisë elektrike, dhe e njëjta ka vazhduar edhe gjatë ditës.