Bllokohet një makinë e Policisë në mes të proteuseve në Zveçan, brenda janë tre policë

E publikuar: 05/06/2023 13:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një makinë e Policisë së Kosovës ka mbetur e bllokuar në mes të turmës së protestuesve në Zveçan.

Siç raporton REL, protestuesit nuk janë duke mundësuar qarkullimin e një makine të Policisë së Kosovës.

Makina duket se është nisur drejt pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, por tani ka mbetur e bllokuar pa mundësi lëvizjeje.

Aktualisht tre policët janë duke qëndruar në automjet dhe nuk janë duke ndërmarrë ndonjë veprim.

Ndërsa me të kuptuar situatën, numri i atyre që e kanë bllokuar automjetin po rritet.

Në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, serbët po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, si dhe praninë e Policisë së Kosovës.

Si pasojë e veprimeve të protestuesve kanë mbetur të lënduar disa policë dhe pjesëtarë të KFOR-it. Gjithashtu, janë djegur dhe dëmtuar vetura të Policisë së Kosovës dhe të mediave.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë.

Ky veprim i institucioneve të Kosovës është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian derisa kanë kërkuar shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri.

Javën që shkoi, ndërkombëtarët i kërkuan Kosovës që të organizojë zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës.

Pas situatës së krijuar në veri të vendit, sot dhe nesër në Kosovë do të qëndrojnë i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, si dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.