Bllokimi i Kuvendit me pasoja negative për integrime

E publikuar: 26/10/2015 18:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Funksionimi demokratik i institucioneve është kushti themelor për integrimet evropiane, ndërkohë që raportet ndërmjet partive në pushtet dhe atyre opozitare në Kuvendin e Kosovës, të cilat së fundmi kanë bllokuar punën e këtij institucioni, paraqesin cenim të këtij kushti, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike dhe të integrimeve evropiane në vend.

Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se në këtë kontekst, janë dy kërkesa që dalin për Kosovën.

E para, sipas tij, është që partitë në pushtet të jenë të hapura dhe të mos rrezikojnë demokracinë parlamentare në Kosovë, duke bërë veprime të njëanshme, të cilat kufizojnë veprimtarinë dhe përfaqësimin politik të partive opozitare.

Ndërkaq, kërkesa e dytë, sipas Dolit, është që partitë opozitare duhet t’i shfrytëzojnë të gjitha mjetet demokratike që kanë në dispozicion, por duke mos rrezikuar parimet e demokracisë parlamentare me modelin e veprimit të tyre politik.

“Besoj që këto dy kushte, kushtin që ka qeveria dhe blloku në pushtet, por edhe kushti që e ka blloku tjetër, ai opozitar, duhet secila të reflektojë mbi to, në mënyrë që Kosova të fillojë të reflektojë, në kuptimin e imazhit që vendet e BE-së kanë për Kosovën, por edhe në kuptimin e standardeve mbi funksionimin demokratik të institucioneve, që këtë problem ta zgjidhin. Pikërisht, duke tentuar që në mirëbesim t’i adresojnë këto çështje”.

Doli shtoi se Kosova gjendet para nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim me Bashkimin Evropian, që paraqet një fazë të integrimeve evropiane të vendit.

Arritja e marrëveshjes, siç thotë ai, kërkon ratifikimin e saj nga Kuvendi i Kosovës, në mënyrë që ajo të formalizohet.

“Unë besoj që ndoshta opozita dhe pushteti do të mund të bien dakord që, të paktën, këtë akt ta miratojnë me konsensus dhe pastaj, të vazhdojnë secili me avazin e vjetër. Por, kjo nuk nënkupton që Kosova e zgjidhë problemin e madh që ka të bëj me raportin dhe garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve të Kosovës, i cili duhet të jetë raport i përhershëm dhe i vazhdueshëm”, tha Doli.

Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Evropiane në Universitetin e Prishtinës, thotë se bllokimi i punës së Kuvendit të Kosovës, do të ketë efekte të padëshirueshme në procesin e integrimeve evropiane të Kosovës, përfshirë edhe Marrëveshjen për Stabilizim Asociim.

“Është e pashmangshme që kjo do ta ketë efektin e vet dhe ky efekt nuk shtrihet më vetëm në nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, por do të shtrihet edhe në ato aspektet teknike që kanë të bëjnë me miratimin e ligjeve dhe dokumenteve të ndryshme strategjike. Në këto momente, siç shihet, është pothuajse e pamundur që institucionet tona ta kenë mundësinë që të veprojnë në atë drejtim”.

Ujkani, vlerëson se, gjendja në Kuvendin e Kosovës, për më tepër do të ndikojë edhe në proceset tjera, sikurse procesi i liberalizimit të vizave.

“Ai është një proces më përmbajtësor dhe rrjedhimisht është një proces që mund të ndikohet shumë lehtë, sepse marrëveshjet nënshkruhen me institucione të qëndrueshme dhe jo sikur me këto tonat, të cilat po manifestojnë një papjekuri totale institucionale dhe kushtetuese”, transmeton rel.

Njohësit e zhvillimeve politike dhe të integrimeve evropiane, kanë vlerësuar se në rast se qëndrimet aktuale diametralisht të kundërta të partive në pushtet dhe atyre në opozitë, mbesin të tilla edhe më tutje dhe rrezikojnë funksionalitetin e institucioneve, kjo do ta rrezikonte në shtigje afatgjata gjithë procesin e integrimeve të Kosovës.