Bllokada buxhetore në Prishtinë, LDK akuzon VV për mashtrim politik ndaj qytetarëve

E publikuar: 27/11/2025 19:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për, siç thuhet, fushatën e radhës së mashtrimit politik në lidhje me bllokadën e buxhetit komunal të Prishtinës.

Në një komunikatë për media thuhet se Lëvizja Vetëvendosje “sot po përpiqet t’i shpëtojë përgjegjësisë duke trilluar merita për një proces që vetë e ka bllokuar tri herë radhazi.”

LDK rikujton se bartja e të hyrave vetanake të komunës së Prishtinës ka dështuar më 21 maj, 12 qershor dhe 27 qershor 2025 pasi asamblistët e Vetëvendosjes votuan kundër, duke paralizuar pagesat për shërbimet esenciale dhe duke dëmtuar funksionimin e kryeqytetit, raporton KosovaPress.

“Tani, pas muajsh bllokadash të qëllimshme, Vetëvendosja del e pretendon se paska “zhbllokuar” vetveten. Ky është modeli i tyre politik: krijo krizë, godit qytetin, pastaj dil në podium e shpall veten hero. Një paturpësi e pastër politike”, thuhet në komunikatë.

LDK thotë se partia e Albin Kurtit ka punuar sistematikisht kundër interesit të qytetit për t’i shërbyer interesave të veta partiake dhe nuk kanë asnjë fakt që mbështet pretendimet e tyre mbi bllokimin e mjeteve buxhetore për Prishtinën.

“Qytetarët e Prishtinës duhet ta dinë: ata që sot po dalin me fjalë të mëdha kanë qenë pengmarrësit e kryeqytetit. Ata që shkaktuan vonesa e rreziqe financiare tani mundohen të fshihen pas pështjellimit propagandistik. LDK do të vazhdojë të mbrojë interesin e qytetit me vendosmëri dhe integritet, dhe nuk do të lejojë që Prishtina të bjerë pre e taktikave të rrezikshme të Lëvizjes Vetëvendosje.”