Megjithëse Dita Ndërkombëtare e Gruas ka vetëm 2 ditë që është kremtuar, për banorët e Yogyakarta, Indonezi, si duket kjo festë as që ka marrë erë andej.
Kjo sepse një shtëpi në këtë rajon është vënë në shitje me një ofertë që përfshin një garazh, një kopsht solid prapa shtëpisë – dhe një grua gratis!
Oferta e pazakontë ka qenë ide e agjentit të patundshmërive, Dian Purna Dirgantara, për pronën 50,000 funtëshe, dhe pronarja e shtëpisë, 40-vjeçja Wina Lia, ka thënë për mediat lokale se ishte pajtuar me këtë ide.
Wina deri më tani ka dhënë disa intervista televizive që kur u bë publik lajmi nëpër mediat sociale, ndërsa për portalin Kompas.com ka thënë se është pajtuar për shkak se është “duke kërkuar një bashkëshort”.
Shtëpia njëkatëshe, e ndërtuar në një hapësirë të vogël trualli dhe që posedon dy dhoma gjumi, dy banja, dysheme graniti e madje edhe një akuarium peshqish, ishte vënë fillimisht në ueb-faqen e pronave Ruhahdijual.com me titullin promovues: “Blijeni shtëpinë me çmimin e shënuar dhe merreni pronaren për grua”.
“Nuk e fajësoj Dian sepse jam pajtuar me atë etiketim”, ka thënë Wina. “Sa herë bie në dashuri, dështon – deri më tani më ka ndodhur dy herë. Dëshira ime është ta shes shtëpinë, por do të ishte mirë që ta takoja edhe bashkëshortin tim”.
Dian Purna Dirgantara, agjenti i patundshmërive të cilit i erdhi në kokë kjo ide, e mbron vendimin e tij duke thënë se blerësi nuk e ka medoemos që ta martojë Winan.
“Që nga dje në mëngjes, kam thirrje të vazhdueshme për këtë pronë…”, ka thënë ai për “Time Magazine”.
“[Por] nëse dikush e dëshiron vetëm shtëpinë, mund ta ketë”, ka përfunduar ai.
Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/fun/blini-shtepine-dhe-merrni-nje-grua-gratis-86172/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright