Një burrë rumun u befasua të gjejë 95,000 euro (107,000 dollarë) të fshehur brenda një dollapi të dorës së dytë që ai kishte blerë – dhe menjëherë i ktheu paratë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Adela Stanici tha të martën se burri i saj, një punëtor ndërtimi, kishte blerë së fundmi një dollap nga një faqe e njohur në internet.
Ditë më vonë, ndërsa po bënte darkën, burri Samueli e thirri: “Eja dhe shiko çka kam gjetur”, një kuti metalike në dollap me disa monedha 500 euroshe.
Ajo tha se çifti i numëroi paratë së bashku: “Ishim të tronditur, nuk mund të flinim gjithë natën”.
“Menduam se mund të ishte një kurth, një organizim dhe ne e dinim se duhej t’i kthenim paratë nga vendi prej nga erdhën”, ka thënë nëna e katër fëmijëve.
Burri udhëtoi nga shtëpia e tyre, në fshatin perëndimor Bichigi, në qytetin ku jetonte pronari, i cili zbuloi se dollapi ishte i atit të tij të vdekur kohët e fundit.
Stanici tha se pronari, i cili kërkoi anonimitet, “nuk kishte asnjë ide” për paratë. “Kur e pa (ai), ai nuk mund ta besonte”.
Ndërsa gruaja bëri të ditur se pronari i shpërbleu ata për ndershmërinë e tyre, pa thënë se cili ishte shpërblimi. /Telegrafi/