Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka konfirmuar se tashmë kanë realizuar pagesën e parë për blerjen e raketave antitank “Javelin”.
Maqedonci ka thënë se janë në proces për ta pasur këtë sistem në inventarin e FSK’së.
“Ne jemi në proces për blerjen, pra prokurimin e këtij sistemi. Ne kemi ekzekutuar tanimë pagesën e parë për këtë sistem, pra që nënkupton se jo vetëm që është miratuar, por jemi në proceset në vazhdimësi për të pasur në inventarin tonë këtë sistem. Pra është çështje e kryer, Javelin do të jetë pjesë e inventarit të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka deklaruar Maqedonci për KTV.
Në janar, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës bëri të ditur se ka bërë kërkesë për blerjen edhe të armëve të tjera, përveç 246 raketave kundërtanke të tipit Javelin.
Më 11 janar Departamenti Amerikan i Shtetit pranoi shitjen e mundshme për Kosovën të 246 raketave “Javelin” në vlerë rreth 75 milionë dollarë. Kërkesa i ishte dërguar Kongresit Amerikan, i cili miratoi blerjen në shkurt të këtij viti.
Raketa “Javelin” është sistem antitank i prodhuar për ushtrinë amerikane. Prodhimi ka nisur në vitin 1996, ndërsa për herë të parë në fushën e betejës është përdorur në Irak e Afganistan më 2003.
Për publikun e gjerë ky lloj armatimi u bë i njohur pas agresionit rus në Ukrainë. Ushtria ukrainase i ka përdorur këto raketa për shkatërrimin e automjeteve të blinduara ruse, që hynë në territorin e saj.
Falë teknologjisë, ky sistem raketor drejtohet automatikisht drejt objektivit pas lëshimit. Ushtarët mund të ripozicionohen menjëherë dhe të përgatiten për hedhjen e radhës.
Raketa ka aftësi të arrijë shpejtësinë deri në 150 metra në sekondë. Ajo rrallë e huq objektivin. Vepron në një distancë nga 65 metra deri në 4 mijë metra.
Një raketë “Javelin” kushton rreth 180 mijë dollarë.
Deri tash janë prodhuar afro 38 mijë raketa të tilla. Rreth 20-25 mijë prej tyre janë përdorur në luftëra apo aksione të ndryshme, pjesa tjetër për testime e stërvitje.