Blerim Shala: “Zajednica” bëhet në pranverë

E publikuar: 02/10/2015 12:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Koordinatori për bisedimet me Serbinë dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës Blerim Shala, në një prononcim për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, ka thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, do të themelohet në pranverën e ardhshme.

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe do të formohet deri në pranverën e ardhshme. Kështu ka thënë deputeti Blerim Shala për agjencinë e lajmeve Tanjug. Ai ka theksuar se për këtë ekziston shumica në parlament dhe se qeveria e Kosovës, si ka thënë ai, nuk do të bie në këtë test.

Shala ka thënë se opozita ka të drejtë kundërshtojë, por sipas tij, Qeveria e ka shumicën e qartë në Parlament.

“Bëhet fjalë për demokraci klasike, për raportin e forcave. Opozita si gjithmonë i ka qëndrimet e saj për gjithçka, pra edhe për AKSHS’në, Gjykatën Speciale, Marrëveshjen e Brukselit…Por ne i kemi marrë obligimet dhe duhet të punojmë në implementim të marrëveshjes së Brukselit në mënyrë që të mos shkojmë prapa”, ka thënë Shala.

Ai ka saktësuar se Asociacioni do të formohet deri në shkurt, mars për shkak të procedurave të zgjatura.

“Së pari duhet të miratohet dekreti nga Qeveria e Kosovës ndërsa më pas ajo duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese që të shihet se a është në përputhje me Kushtetutën. Pastaj i kemi 4 muaj që të shkruhet draft-statuti i Asoacionit respektivisht Zajednicës. Kështu që kur kemi parasysh krejt procedurën AKSHS do të formohet gjatë pranverës së ardhshme” ka theksuar ai.

Shala ka pohuar se pasi është pritur shumë vite, është mirë që gjithçka të bëhet ashtu sic duhet.