Blazevic: Vokrri, personalitet historik i kohës sonë

E publikuar: 09/06/2018 19:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trajneri më i madh kroat, Çiro Blazhevic, e ka cilësuar veten me fat që ka pasur rastin të punojë me Fadil Vokrrin.

Fadil Vokrri në orët e mesditës së sotme ka ndërruar jetë papritur në moshën 57 vjeçare pas një sulmi në zemër, teksa po stërvitej në një qendër fitnesi në Prishtinë

Bllazheviq që ka drejtuar Prishtinën e artë për një sezon, thotë se koha e kaluar në kryeqytetin e Kosovës, ka qenë një nga aventurat më të mira në karrierën e tij, ndërsa për Vokrrin thotë se nuk ka qenë vetëm një futbollist i talentuar, por edhe një burrë.

“Ende e kujtoj popullaritetin e tij dhe popullarizimin e përgjithshëm dhe dashurinë që publiku kishte për të. Nuk ishte vetëm një futbollist i talentuar, por një burrë. Një qenie njerëzore e cila me tiparet dhe karakterin e tij, ka tronditur masën. Kur i do njerëzit, atëherë edhe ata të duan ty. Ka qenë shumë, shumë emocional” ka deklaruar Çiro Blazhevic për Index.hr teksa ka kujtuar Fadil Vokrrin dhe Prishtinën e artë, transmeton lajmi.net.

Çiro Blazhevic që në vitin 1985 drejtoi Prishtinën, ku për lojtarë kishte Fadil Vokrrin, Agim Canën, Edmond Rugovën dhe Fadil Muriqin, thotë se koha e kaluar në Kosovë ka qenë një nga aventurat më të mira në jetën e tij.

“Ka qenë një nga aventurat më të bukura në jetën time. I gjithë qyteti jetonte për klubin. Dhe sot, nga gjenerata në gjeneratë kjo histori transmetohet për epokën e paharruar. Sot ndjej kënaqësi të madhe për periudhën që kam kaluar me Fadil Vokrrin në Prishtinë”, ka shtuar 83 vjeçari.

Blazhevic shton se pas largimit nga Prishtina, ka tentuar të transferojë Vokrrin te Dinamo Zagrebit, por ishte e pamundur të mposhte konkurrencën e Partizanit të Beogradit.

“Fadil Vokrri ishte dhe do të mbetet personalitet historik i kohës sonë”, përfundon Blazhevic.