Dyqani i aplikacioneve BlackBerry World do të mbyllet përgjithnjë më 31 Dhjetor 2019, ndërsa sajti BlackBerry Travel në Shkurt të 2018-ës.
Ky ishte lajmi që dha kompania Kanadeze dhe një prej markave ikonë të botës së telefonëve inteligjente përpara mbërritjes së iPhone dhe Android.
E thënë ndryshe, platforma BlackBerry 10 do të gëzojë mbështetje edhe për dy vite të tjera. E ardhmja e saj ka qenë në dyshim prej kohësh që kur BlackBerry adoptoi për herë të parë Android-in me modelin Priv.
Telefonët e fundit me BlackBerry 10 janë prodhuar në 2015-ën. Kompania ende ka një ekip inxhinierësh që punojnë me versionet e reja të platformës.
Përditësimi i fundit ishte 10.3.3 i publikuar në Dhjetor të 2016-ës. Kompania nuk tha nëse do të kishte apo jo telefonë të rinj BlackBerry, dhe teknikisht dyert janë të hapura.
Por me çdo ditë që kalon, mundësia që të shohim një tjetër telefon BlackBerry 10 venitet. Tashmë që dyqani i aplikacioneve po largohet në fund të 2019-ës, kompania do të vihet nën presion për të ndaluar punën me sistemin operativ gjithashtu.
BlackBerry thotë se janë miliona telefonë BB10 dhe BBOS në funksion edhe sot e kësaj dite. /PCWorld Albanian