Punëtorët e kompanisë ‘Al Petrol’, të udhëhequr nga Latif Kryeziu, kanë hyrë në muajin e tretë që nuk kanë marë paga.
Arsye për këtë del të jetë performanca jo e mirë e kompanisë gjatë vitit të kaluar dhe fillimin e këtij viti, siç u është thënë nga menaxhmenti.
“…po thonë që “Al Petrol”, është në krizë financiare”, i ka thënë një punonjës i kësaj kompanie Gazetës Fjala, duke rikujtuar se menaxhmenti i ‘AL Petrol’ është arsyetuar tek ta se kanë mungesë buxhetore.
Megjithatë, asnjë nuk po e merr guximin të kërkojnë pagat e tyre nga frika se do të largohen nga vendi i punës.
Gazeta Fjala ka kërkuar përgjigje nga zyrtarët e kompanisë “AL Petrol”, lidhur me pohimet e ngritura por nuk janë përgjigjur në interesimin e Gazetës lidhur me këtë çështje.
Për shkeljet e të drejtat e punëtorëve dhe mos zbatim të ligjit të punës nga kjo kompani është raportuar në vazhdimësi, madje janë evidentuar nga sindikata edhe raste kur udhëheqësit i kanë keqtrajtuar të të punësuarit.
Azemi: Prapa kësaj kompanie qëndrojnë njerëz të politikës
Të njoftuar me rastin e shkeljes së të drejtave të punëtorëve të Al Petrolit janë edhe në Sindikatën e Sektorit Privat të Kosovës.
Jusuf Azemi kryetar i kësaj sindikate tha për Gazetën Fjala se gjatë ditës së enjte personalisht është interesuar për këtë çështje në disa pika të karburanteve dhe në to punëtorët e kanë konfirmuar se që tre muaj nuk kanë marrë pagë.
“Kemi hyrë në muajin e tretë në të cilin punëtorët e Al Petrol nuk i kanë marrë pagat. Të enjten ne kemi marrë një aktivitet dhe i kam kontaktuar gjashtë pika të AL Petrolit, në nivel të Kosovës, dhe për gjashtë pikat gjendja është e njëjtë”, ka thënë Azemi për Gazetën Fjala.
Ai bëri të ditur se në kompaninë Al Petrol ka të punësuar, të cilët që katër vite e gjysmë nuk i kanë nënshkruar kontratat e punës.
“..pjesa dërrmuese e punëtorëve që unë kamë biseduar me ta, ma tepër janë pa kontrata se sa me to”, ka thënë Azemi.
Kreu i Sindikatës së punëtorëve thotë se prapa kësaj kompanie qëndrojnë njerëz që janë të kyçur në politikë.
Azemi thotë se vazhdimisht kanë ofruar dëshmi edhe në Inspektoratin e Punës, mirëpo ata asnjëherë nuk kanë vepruar.
“..problemet lidhur me këtë çështje asnjëherë nuk janë zgjidhur nga Inspektorati I punës, u kam ofruar atyre argumente të bollshme që tregojnë për këto shkelje”, thotë ai.
Azemi shprehet se punëtorët e kësaj kompanie nuk guxojnë t’i kërkojnë pagat e tyre, se në momentin që i kërkojnë ata ato, largohen nga vendi i punës.
“… ti mbajsh punëtorët pa kontrata pune, tu thuash haptazi nëse kërkon pagën tënde, ti jap parat por nesër shkon në shtëpi, kjo është shkelje e hapur”, thotë kreu i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës
Ndërkohë, Gazeta Fjala, ka raportuar edhe më parë se si kjo kompani ua kishte shkelur të drejtat e punëtorëve duke u ka ndal nga 5 për qind të pagës së muajit dhjetor të vitit të kaluar./GazetaFjala/