Bizneset në Kosovë fillojnë të rekrutojnë punëtorë nga Bangladeshi e Nepali

E publikuar: 03/09/2023 22:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dilemat për largim të një pjese të punëtorëve nga vendi, nga 1 janar i 2024-s, kur është paraparë të liberalizohen vizat, kanë shtyrë bizneset që të gjejnë alternativa të tjera në mënyrë që të mos mbesin pa staf.

Shumë kompani po merren me procedurat e rekrutimit të punëtorëve nga vendet aziatike si Bangladeshi e Nepali.

“Disa biznese veçse kanë filluar të kontraktojnë edhe punëtorë jashtë vendit, e sidomos pjesa e bizneseve të gastronomisë”, tha për RTK-në Hysen Sogojeva, kryetar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë thënë për emisionin Ekonomiks se nga janari 2022 deri në qershor të këtij viti, kanë aprovuar 381 viza pune, ndërsa 165 janë refuzuar.

“Më së shumti kërkesa për viza pune në Kosovë janë pranuar nga Bangladeshi, India, Nepali, Egjipti Filipinet, Pakistani dhe Bosnja”, kanë thënë nga MJD.

Megjithatë, punësimi i të huajve nuk do të jetë një zgjidhje afatgjate për bizneset.

“Duke u bazuar në ligjin nr.04/L-205 për Agjencinë e Punësimit të Kosovës, Agjencia ka mandat të lëshojë vetëm leje pune afatshkurtra për të huajt, deri në 90 ditë brenda çdo periudhe prej 180 ditëve brenda 1 viti”.

“Kosova nuk ka ndonjë ligj të veçantë për këtë çështje sa i përket ardhjes së punëtorëve nga jashtë”, tha Sami Istrefi, njohës i çështjeve juridike.

Por, si shkojnë procedurat për rekrutimin e këtyre punëtorëve tregoi për RTK-në, Zana Beqiri, drejtoreshë ekzekutive e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

“Migrimi afatshkurtër është i mundshëm. Është i mundshëm edhe natyralizimi, pastaj bashkimi familjar dhe është i mundshëm edhe migrimi për çështje ekonomike dhe biznesore. Por në të shumtën e rasteve po shohim se binzeset po i pajisin punëtorët nga jashtë me vizë afatgjatë për biznes dhe me leje qëndrimi, e cila ua garanton edhe lejen e punës”, tha ajo.

Bizneset disa herë kanë ngritur shqetësime se po u rrezikohet funksionimi në mungesë të stafit. Ato druajnë se pas janarit do të jenë në krizë për punëtorë, andaj punësimi i të huajve shihet si zgjidhje.