Një tjetër ditë, një tjetër rekord për bitcoin. Sipas CoinMarketCap.com, monedha virtuale më popullore në botë sapo kaloi vlerën e 11,000 dollarëve për të tregtuar më 11,136 dollar në këto momente që shkruajmë.
Për herë të parë monedha vendosi këtë rekord të ri mëngjesin e ditës së sotme duke arritur në 11,047 dollar por ra deri në 10,500 dy orë më pas.
Mesditën e sotme monedha shkoi deri në 11,142 dollar dhe dërguar vlerën e të gjitha monedhave bitcoin në qarkullim në 185 miliard dollar.
Kësisoj, vlera totale e të gjitha monedhave kriptografike aktualisht është 334 miliard dollar.
Në fillim të muajit Nëntor, të gjitha monedhat vlerësoheshin me 200 miliard dollar.
Monedha kapërceu kufirin e 9,000 dollarëve ditën e Shtune duke arritur 9,143 dollar. Gjatë fundjavës për herë të parë vlera e monedhave virtuale kaloi 300 miliard dollarët.
Sakaq ditën e djeshme, bitcoin arriti një objektiv madhor duke prekur vlerën e 10,000 dollarëve për herë të parë.
Bankat Qendrore i tremben një flluske financiare e cila mund të shpërthejë në çdo moment dhe këtë e kanë treguar qëndrimet e disa prej tyre.
Shefi i Bankës Qendrore Zvicerane shprehej se monedhat si bitcoin janë më shumë një investim sesa vetë monedhë.
Sakaq Banka e Japonisë shprehej se dita kur monedhat dixhitale të zëvendësojnë paranë tradicionale është larg.
Rritja e paprecedent e bitcoin nga 8,200 dollar të Premten e kaluar në 11,000 dollar ditën e sotme është ndihmuar edhe nga lajmi i grupit CME i cili do të lançonte derivatet e para bitcoin brenda fundit të vitit.
Interesi i lartë që ka ngjallur bitcoin e tregon edhe fluksi i regjistrimeve në bursat online siç është Coinbase. Kjo bursë raportoi një rritje të numrit të përdoruesve me 300,000 në datat 22-26 Nëntor. /PCWorld Albanian