​Bislimi takon Sorensen, çështja e të pagjeturve duhet trajtuar me urgjencë

E publikuar: 22/10/2025 17:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë Besnik Bislimi priti sot në një takim pune emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, me të cilin ka diskutuar rreth rrugës përpara drejt zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit.

Bislimi theksoi gjithashtu se duhet të trajtohet me urgjencë dhe vëmendjen e merituar çështja e rreth 1600 personave të zhdukur me dhunë, në mënyrë që të fillohet edhe me punën e Komisionit të Përbashkët, pasi për këtë ekziston një marrëveshje e dakorduar nga dhjetori 2024.

Ai gjithashtu tha me urgjencë duhet të trajtohet problemi i bllokimit të shpërndarjes së mjeteve për fermerët në Luginën e Preshevës, që është bllokuar nga Serbia dhe e cila refuzoi edhe në takimin e fundit në Bruksel të muajit të kaluar, që ta trajtojë këtë çështje.

Bislimi foli edhe rreth dëmeve që Serbia po ia shkakton Kosovës vit pas viti me bllokimin e linjave të interkoneksionit, i cili po e rrit koston e transmisionit për energjinë jo vetëm në Kosovë, por edhe për rajonin. Bislimi shprehu edhe rëndësinë dhe domosdoshmërinë që sa të hiqen plotësisht masat e BE-së ndaj Kosovës.

Kujtojmë, zëvendëskryeministri në detyrë Besnik Bislimi ka fajësuar palën serbe për dështimin e formimit të komisionit për të pagjeturit në raundin e radhës të bisedimeve të zhvilluara muajin e kaluar në Bruksel në kuadër të procesit të dialogut.

“Me gjasë Serbia është tërhequr nga marrëveshja për termat e referencës të cilën e kemi përfunduar në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, duke thënë se ata duan që edhe njëherë të ndërhyjnë në dokument, gjë që nuk është pranuar as nga Brukseli as nga pala jonë. Këtu kemi parë pak a shumë edhe njëfarë mos harmonie në ekipin serb, ku si duket dikush ka dashur që ne sot ta themelojmë (komisionin) por pjesa tjetër ka bllokuar”, ka thënë Bislimi.

Bislimi tha se gjatë takimit u diskutua edhe për bllokimin e shpërndarjes së mjeteve për fermerët në Luginën e Preshevës, të cilën e ka ndërprerë pala serbe.